Një ngjarje tragjike ka ndodhur këtë të shtunë në plazhet e Otrantos, ku një 54-vjeçar humbi jetën pasi arriti të shpëtonte dy fëmijët e tij binjakë, 8 vjeç, të cilët i mori rryma.
Sipas mediave të huaja, ngjarja ndodhi rreth orës 11:30 të mëngjesit, ku për shkak të kushteve të vështira atmosferike dhe erës së fortë deti ishte me dallgë, dhe rryma mori dy binjakët dhe i largoi shpejtë nga bregu.
I alarmuar nga situata, babai u hodh menjëherë në ujë dhe arriti t’u vinte në ndihmë fëmijëve dhe t'i nxirrte të sigurt në breg.
Menjëherë pasi shpëtoi fëmijët, 54-vjeçari u ndje keq dhe u rrëzua pa ndjenja. Pushuesit e pranishëm ndërhynë menjëherë për t'i dhënë ndihmën e parë, ndërsa më pas mbërritën edhe ekipet e emergjencës. Megjithatë, pavarësisht përpjekjeve për ta rikthyer në jetë ai nuk mundi të mbijetonte.
Paraprakisht dyshohet se 54-vjeçari mund të ketë pësuar një problem të rëndë shëndetësor, të shkaktuar nga sforcimi i madh fizik gjatë përpjekjes për të shpëtuar fëmijët e tij.
