Hapësire reklamuese

Rajoni

“Akuzat ndaj nesh, të pabaza! Po njollosni LUFTËN”/ Gjyqi në Hagë, Rexhep Selimi: UÇK nuk kishte asnjë qëllim tjetër përveç lirisë

Shkruar nga Newsbomb
“Akuzat ndaj nesh, të pabaza! Po njollosni LUFTËN”/ Gjyqi
Rexhep Selimi

Ish-themeluesi i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Rexhep Selimi, gjatë fjalës përmbyllëse në gjyqin që po mbahet ndaj drejtuesve të UÇK-së në Hagë, tha se pupulli i Kosovës, nuk kishte rrugë tjetër dhe u detyruan që të rrëmbinin armët.

Selimi tha se akuzat ndaj krerëve të UÇK-së, janë të padrejta, të pabaza dhe se po bëhen përpjekje për të njollosur luftën.

Ndërsa në fund tha se Ushtria Çlirimtare e Kosovës, nuk kishte asnjë qëllim tjetër, përveçse lirisë së Kosovës.

"Po, kam mbajtur armë! Armë për mbijetesë dhe për mbrojtje. UÇK-ja nuk kishte qëllim tjetër përveç lirisë. Nuk kishte plan për pushtim apo agresion. Edhe sot, po të isha në të njëjtat rrethana, do të veproja njësoj. Liria, paqja dhe demokracia arrihen duke u përballur me agresionin, jo duke iu nënshtruar atij.", theksoi ai në deklaratën e tij.

Fjala e plotë e Rexhep Selimit:

I nderuar trup gjykues, kryetar dhe të pranishëm. Më lejoni t’ju përshëndes të gjithëve. Kjo është hera e tretë që marr fjalën në këtë sallë dhe shpresoj të jetë e fundit. Kanë kaluar më shumë se pesë vite nga fillimi i këtij procesi. Nuk kanë qenë vite të lehta për ne, por shpresoj që të kenë shërbyer në të mirë të së vërtetës dhe të drejtësisë.

Në fillim kam thënë se po përballesha me akuza të pabazuara. Sot, pas gjithë kësaj kohe, jam edhe më i bindur se këto akuza janë të padrejta dhe pa bazë. Unë nuk jam këtu për t’ju treguar se çfarë është drejtësia; jam këtu për t’ju kërkuar juve ta ushtroni atë.

Edhe pse kanë kaluar më shumë se tre vite nga procesi gjyqësor, vazhdojnë përpjekjet për të njollosur një luftë që në thelb ishte çlirimtare. Edhe pse është deklaruar se nuk kërkohet dënimi i Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, është krijuar përshtypja se pavarësia trajtohej si një qëllim i përbashkët kriminal. Është mbajtur një qëndrim akuzues, duke lënë të kuptohet se kërkesa për pavarësi ishte në vetvete e dënueshme.

Është e vështirë të kuptohet kundër kujt është ngritur kjo akuzë: kundër nesh që luftuam për lirinë e vendit tonë? Më problematike është përpjekja për ta ndarë çështjen në dysh – për pavarësi apo për autonomi – sikur kjo të ishte thelbi i akuzës. Në Kosovë nuk ka pasur kurrë një parti politike kundër pavarësisë. Të gjitha synonin lirinë, ashtu siç e synonte edhe UÇK-ja.

Të barazosh një popull të shtypur me një regjim që ushtroi dhunë sistematike është e padrejtë. Historia e Kosovës nuk mund të rishkruhet. Ajo është shkruar me sakrificë. Kur vriteshin studentë, kur helmohej rinia, kur njerëzit përndiqeshin e vriteshin, çfarë duhej të bënim ne? Të largoheshim nga shtëpitë tona? Të hiqnim dorë nga e drejta për të jetuar të lirë?

UÇK-ja nuk u krijua nga dëshira për aventurë, por nga nevoja për mbijetesë. Njerëzit morën armët sepse nuk kishin rrugë tjetër. Prokuroria më ka cilësuar si organizator dhe si person të afërt me Adem Jasharin. Nuk e di nëse kjo është akuzë apo vlerësim. Për mua është nder të jem bashkërrugëtar i tij. Nëse kjo konsiderohet krim, atëherë problemi nuk qëndron tek unë, por tek mënyra si vlerësohet sakrifica për liri.

Po, kam mbajtur armë – armë për mbijetesë dhe për mbrojtje. UÇK-ja nuk kishte qëllim tjetër përveç lirisë. Nuk kishte plan për pushtim apo agresion. Edhe sot, po të isha në të njëjtat rrethana, do të veproja njësoj. Liria, paqja dhe demokracia arrihen duke u përballur me agresionin, jo duke iu nënshtruar atij.

Prokuroria kërkon dënime të rënda. Në thelb, duket sikur synohet të pengohet kthimi ynë në Kosovë. Koha e kthimit tonë varet nga vendimi juaj, por unë jam i bindur se do të kthehem në Kosovën e lirë. I kam dalë zot atdheut tim dhe kam qenë, dhe jam, i gatshëm të jap jetën për të sa herë të kërkohet.

Besoj se kushdo që do të gjendej në të njëjtat rrethana do të vepronte njësoj. Lufta lë pasoja dhe viktima. Pikërisht këto viktima kanë nevojë për drejtësi – një drejtësi që mbështetet në fakte, jo në hamendje.

Kërkesa ime është e thjeshtë: që vendimi të bazohet vetëm në atë që është provuar përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, në fakte dhe jo në supozime. Kam besim të plotë se vetëm drejtësia do të na kthejë në atdhe.

Thuhet se njerëzit që bëjnë diçka të madhe për atdheun janë njerëz me fat. Unë ndihem me fat që kam pasur mundësinë të kontribuoj për lirinë e vendit tim – dhe sot pres me besim që drejtësia të flasë.

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese