Procesi i numërimit të votave ka hyrë në fazën përfundimtare, me 4,435 kuti të numëruara nga gjithsej 5,225 në rang kombëtar, sipas të dhënave zyrtare të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri në orën 01:30.
Në bazë të rezultateve të deritanishme, Partia Socialiste ruan një epërsi të theksuar në ndarjen e mandateve, duke siguruar deri tani 82 vende në Kuvend. Një prej tyre është humbur në Lezhë, ku Partia Demokratike ka arritur të sigurojë një mandat. Koalicioni i djathtë i kryesuar nga PD ka aktualisht 52 mandate, ndërsa gara e ngushtë në disa qarqe ka sjellë lëvizje të lehta në ndarjen e mandateve mes forcave opozitare.
Përsa i përket partive të reja, Partia Socialdemokrate ka siguruar deri tani 3 mandate, duke u pozicionuar si forca e tretë politike. Partia Mundësia ka fituar 2 mandate, Lëvizja Bashkë ka marrë 1 mandat, ndërsa koalicioni “Nisma Shqipëria Bëhet” gjithashtu ka hyrë në Kuvend me 1 mandat. Avantazhi numerik i PS-së në vota arrin në mbi 212 mijë, ndërkohë që kanë mbetur për t’u numëruar edhe 790 qendra votimi në të gjithë vendin.
