
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka reaguar zyrtarisht pas disa interpretimeve dhe deklaratave publike në lidhje me procesin e numërimit të votave të diasporës, duke sqaruar se nuk ka asnjë vendim për përjashtimin e votuesve nga Greqia.
Në një deklaratë për mediat, KQZ thekson se vendimi i fundit i marrë ka të bëjë vetëm me administrimin e dokumentacionit zgjedhor dhe jo me përjashtimin e ndonjë grupi votuesish.
"Sqarojmë se nuk ka vendim të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për të përjashtuar nga numërimi dhe vlerësimi i votave të votuesve nga Greqia," thuhet në deklaratë.
Sipas KQZ-së, dokumentacioni i votuesve nga jashtë po shqyrtohet në mënyrë të rregullt nga numëruesit dhe komisionet përkatëse për të 12 qarqet e vendit. Qëllimi i vendimit është “mirëadministrimi i dokumentacionit zgjedhor”, dhe çdo koment apo opinion ndryshe, sipas institucionit, përfaqëson mosnjohje të fakteve, apo edhe spekulim të qëllimshëm.
Reagimi i plotë nga KQZ:
Sqarojmë se nuk ka vendim të Komisionerit Shtetëror të Zgjedhjeve për të përjashtuar nga numërimi dhe vlerësimi i votave të votuesve nga Greqia.
Vendimi i marrë një ditë më parë, ka si qëllim vetëm mirë administrimin e dokumentacionit zgjedhor të votuesve nga jashtë, gjatë kohës kur ky dokumentacion, shqyrtohet nga numëruesit dhe komisionet përkatëse të administrimit të numërimit dhe dhe vlerësimit të votave nga jashtë për 12 qarqet e vendit.
Komentet dhe opinionet kundërshtuese për këtë akt janë mosonjohje e faktit dhe me raste edhe spekullime.