Presidenti i vendit, Bajram Begaj i trishtuar ka reaguar për ndarjen nga jeta të aktores së madhe, Margarita Xhepës.
Përmes një postimi në rrjetet e tij sociale, Begaj shkruan se ikona e skenës shqiptare, deri në vitet e fundit të jetës së saj, iu kushtua artit të cilin e përdori për kauza të rëndësishme në mbrojtjen e grave dhe të fëmijëve.
Ndër të tjera, kreu i shtetit u ka shprehur ngushëllime familjarëve të aktores të cilët sot humbën njeriun e tyre të shtrenjtë, por komunitetit të artistëve dhe mbarë shqiptarëve që e kanë ndjekur dhe e kanë duartrokitur artin që Xhepa dhuroi ndër vite.
“Me trishtim mësova se Margarita Xhepa, ylli i skenës dhe ekranit shqiptar, u shua sot.
Me interpretimet e saj, ku spikati në mishërimin e figurës së gruas dhe veçanërisht të nënës, Margarita Xhepa çoi dritë dhe u bë pjesë e dashur e familjeve shqiptare.
Artistja e madhe, një figurë publike e respektuar, grua dhe nënë e nderuar, deri në vitet e fundit të jetës së saj iu kushtua artit dhe artin e saj e përdori për kauza të rëndësishme në mbrojtje të grave dhe fëmijëve.
Ngushëllimet e mia më të ndjera shkojnë për familjen, që sot iu nda nga jeta njeriu i tyre i shtrenjtë, për komunitetin e artistëve shqiptarë dhe për mbarë shqiptarët që e kanë ndjekur dhe duartrokitur artin që Margarita Xhepa dhuroi ndër vite”, shkruan Begaj.

