Tre grupet parlamentare opozitare, Partia Demokratike, Partia e Lirisë dhe Aleanca për Ndryshimin, kanë dhënë një deklaratë të përbashkët në lidhje me marrëveshjen e huasë prej 302 milionë dollarësh që që Shqipëria pritet të marrë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për financimin e pajisjeve ushtarake.
Opozita është shprehur se e mbështet në parim marrëveshjen me aleatin strategjik të shqipërisë, por kundërshton mënyrën se si maxhoranca kërkon ta miratojë atë në Kuvend , teksa e ka cilësuar përshpejtimin e procedurës brenda një dite si antikushtetuese.
“Po marrëveshjes me SHBA! Jo mënyrës antikushtetuese se si Edi Rama kërkon ta miratojë brenda ditës në Parlament”, thuhet në deklaratën e opozitës, e cila thekson se Shqipëria ka nevojë të rrisë investimet në mbrojtje dhe të përmbushë detyrimet e saj ndaj NATO-s.
Më tej opozita ka deklaruar: “Çdo marrëveshje strategjike me aleatin tonë më të rëndësishëm meriton transparencë, debat dhe respektim të Kushtetutës, jo procedura të improvizuara antidemokratike, si ato që qeveria po imponon me dhunën e kartonit dhe që e kthejnë Kuvendin në noter të qeverisë. Kjo nuk është urgjencë as e Shqipërisë, as e SHBA-së. Është urgjencë e një qeverie që për vite zgjodhi korrupsionin në vend të përmbushjes së detyrimeve ndaj Aleancës dhe sot kërkon të mbulojë dështimet e veta duke shkelur Kushtetutën.”
Partia Demokratike, Partia e Lirisë dhe Aleanca për Ndryshim, janë shprehur se ato nuk e kundërshtojnë financimin për mbrojtjen, por mënyrën e trajtimit të marrëveshjes.
“Partia Demokratike e anëtarësoi Shqipërinë në NATO. Ne e pranojmë këtë marrëveshje në parim, por nuk do të pranojmë kurrë që marrëdhëniet strategjike me Shtetet e Bashkuara të përdoren si justifikim për të shkelur Kushtetutën. Aleanca me SHBA forcohet duke respektuar ligjin, jo duke e shkelur atë”, thuhet në deklaratë.
