Zarfet me fletët e votimit që janë dërguar me postë nga Greqia nuk do të numërohen me zarfet e dërguara nga emigrantët në shtetet e tjera. Ky është vendimi që ka marrë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për të zhbllokuar procesin për votat e Diasporës.
Te Parku Olimpik ku ndodhen votat e dërguara nga emigrantët kanë mbërritur përfaqësuesit e lartë të partive politike dhe tensionet nuk kanë munguar.
Flamur Noka dhe përfaqësuesja e PD për Diasporën, Jozefina Topalli kanë këmbëngulur që procesi i numërimit të votave të mos niste, sepse ata donin me patjetër që votat e Greqisë të veçoheshin për një moment të dytë.
Partia Demokratike ka kërkuar vazhdimisht që procesi i numërimit të votave nga Greqia të ndahej nga pjesa tjetër, për shkak të problematikave të shumta në shpërndarje. Edhe para se të përfundonte procesi i shpërndarjes së zarfeve, ka pasur pretendime për parregullsi.

"Ne kemi më shumë se dhjetë ditë që denoncojmë publikisht dhe përmes juristëve tanë në KQZ për një proces që ka krijuar shqetësime serioze. Sot kemi plotësuar kërkesën që të ketë një ndarje të veçantë të kutive të votimit, në mënyrë që kur të vijë momenti të analizojmë procesin në Greqi dhe të verifikojmë standardet e zbatimit të Kodit Zgjedhor.
Atje ka dyshime se kush e ka bërë shpërndarjen si nënkontraktor – ka mundësi që të kenë qenë strukturat e PS. Ne kërkojmë verifikimin e këtyre dyshimeve serioze. Janë rreth 190 mijë zarfe me vota për t’u numëruar", është shprehur më herët gjatë mbrëmjes Jozefina Topalli.
Kreu i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, në një komunikim të drejtpërdrejtë për News24 nga Parku Olimpik i Tiranës, ku po vijon numërimi i votave, foli mbi situatën e procesit zgjedhor dhe çështjen e votave të diasporës.
“E rëndësishme është të ecë procesi përpara. Ato vota do të numërohen gjithsesi. Në Greqi ka pasur probleme me postën dhe, me sa di unë, standardi nuk ka qenë si në vendet e tjera", tha ai.
