
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka thënë pak minuta më parë se ai nuk kishte dijeni ku ndodhej Ilir Meta. Ai është pyetur nga gazetarët në hyrje të godinës së Partisë së Lirisë, në zonën e ish-Bllokut, por është shprehur se nuk kishte informacion për arrestimin.
"Kemi të bëjmë me një pengmarrje kriminale, akt kriminal. Nuk e di ku ndodhet dhe kjo është një fatkeqësi. Kjo tregon aktin e rëndë kriminal që do të marrë përgjigje shembullore nga shqiptarët patriotë dhe të ndershëm", u shpreh Tedi Blushi.
Menjëherë më pas, ai është nisur drejt Drejtorisë së Policisë Tiranë bashkë me avokatin Genc Gjokutaj, edhe ky i fundit zyrtar i Partisë së Lirisë.
Treshja e prokurorëve të SPAK, Sotir Kllapi, Altin Dumani dhe Arben Kraja kanë firmosur këtë të hënë prangosjen e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Newsbomb.al mëson se ai akuzohet për veprat penale "Mosdeklarim i Pasurisë" dhe "Pastrim i Parave".
Masë sigurie është njoftuar dhe për ish-bashkëshorten, Monika Kryemadhi, si person i lidhur me Ilir Metën për shkak të rrethanave familjare.
Ilir Meta kishte njoftuar mbajtjen e një konference publike nga selia e Partisë së Lirisë, në orën 13:40 të kësaj të hëne, datë 21 Tetor, por është arrestuar në mes të rrugës. Agjentët e BKH-së dhe efektivët e Policisë së Shtetit e kanë prangosur atë në zonën e "Cassa Italia".
© Newsbomb.al