Deputeti Gent Strazimiri, si shumë deputetë e personalitete të tjera ka reaguar për ndarjen nga jeta të ish-kryeministrit Fatos Nano, por me një ndryshim; tepër agresiv e me tone akuzash të forta.
Gent Strazimiri në postimin e tij në rrjete sociale shprehet se Fatos Nano, e ka pasur të qartë çfarë dëmesh i ka shkaktuar Partia e Punës, Shqipërisë, dhe mjerisht nuk pati kurajon që në momentin e parë, në qershor 1991, kur "shndërrim" të saj, quajti thjesht "ndërrimin e emrit".
"Sulmi" i Strazimirit vijon më tej, duke thënë se Fatos Nano popullit dhe Shqipërisë i la si mallkim pasardhësin e vet dhe iku të jetojë jashtë, i bindur se do e kërkojnë sërish kur ta njohin se kush është.
Deputeti Strazimiri e mbyll postimin e tij shkurt, duke thënë se Fatos Nano nuk është më, ndërsa dëmi që la pas, po.
Ish-kryeministri Fatos Nano mbylli sytë përgjithmonë sot në moshën 73-vjeçare. Qindra postime, mesazhe e shprehje ngushëllimesh kanë shkuar ndaj familjes së tij. Figura e Fatos Nanos u vlerësua e u kërkua mëshirë nga Zoti për të, nga të majtë e të djathtë, miq e armiq politik.
Deri tani, i vetmi që ka dalë nga të gjithë rreshtat politik në reagimin e ngushëllimit është deputeti Gent Strazimiri, i cili shoqëron reagimin me akuza.
Statusi i plotë i Gent Strazimiri
Kam bindjen se Fatos Nano, kur pranoi të drejtojë Partinë e Punës në 1991, mendonte seriozisht se mund ta reformonte për ta shndërruar në një forcë të majtë evropiane.
I kishte të gjitha cilësitë për ta bërë!
Qytetar, intelektual, i lexuar por, mbi të gjitha krejt i qartë për dëmet që Partia e Punës i kishte bërë vendit.
Mjerisht, nuk pati kurajon që në momentin e parë, në qershor 1991, kur "shndërrim" të saj, quajti thjesht "ndërrimin e emrit"!!!
Drejtoi Shqipërinë mbi këtë bazë moskurajoje, duke shkaktuar edhe më shumë dëme, i bindur se ky popull nuk e meritonte.
"Popull" quante komunistët, veteranët, shefat e kuadrit, oficerët e Sigurimit... dmth të gjithë ata që e rrethonin, sepse në popull nuk doli kurrë vërtetë.
Në fund, "popullit" e Shqipërisë i la si mallkim pasardhësin e vet dhe, iku të jetojë jashtë, i bindur se do e kërkojnë sërish kur ta njohin se kush është...
Fatos Nano nuk është më!
Dëmi që la pas, PO!
Zoti pastë mëshirë për të!

