Hapësire reklamuese

Politikë

Silvio Gonzato mbërrin në një qendër votimi në Durrës për monitorimin e zgjedhjeve: Të rëndësishme për anëtarësimin në BE

Shkruar nga Newsbomb
Silvio Gonzato mbërrin në një qendër votimi në
Silvio Gonzato

Ambasadori i Bashkimit Evropian në Shqipëri, Silvio Gonzato, ka mbërritur në Qendrën e Votimit 14/94 në Durrës. Gozanto do të ndjekë nga afër procesin zgjedhor që po zhvillohet këtë të dielë në të gjithë Shqipërinë. 

Gonzato deklaroi se zgjedhjet janë të rëndësishme për nga mënyra se si do të organizohen, kjo edhe për procesin e antarësimit të Shqipërisë në BE. Ai theksoi se do të bëjnë një analizë, megjithatë do të presin gjetjet që do të bëjë skuadra vëzhguese e OSBE/ODIHR.

Ndërkohë, gjatë orëve të para të mëngjesit, Gozato ishte i pranishëm në kryeqytet ku po monitoronte zgjedhjet në KZAZ-në nr. 36. 

"Nuk donim të shihnim zgjedhjet vetëm në kryeqytet. Do të donim të shihnim si po ecën procesi zgjedhor dhe në vende të tjera të Shqipërisë. Kam dhe kolegë të mi nga shtetet anëtare të BE-së që kanë dalë për të vëzhguar. Arsyeja përse e bëjmë këtë, nuk është s’e ‘kemi besim te OSBE/ODIHR, sepse ata po bëjnë një punë shumë të mirë, por që dhe ne të kemi përvojën tonë. Të shohim çfarë mendimesh kanë qytetarët, kjo për arsye sepse janë zgjedhjet e para pas çeljes së negociatave mes BE-së dhe Shqipërisë.

Në fakt negociatat kanë filluar me grupkapitujt e parë që kanë të bëjnë me çështjet më themelore, siç janë: sundimi i ligjit, standardet demokratike, të drejtat e njeriut…

Zgjedhjet, mënyra se si do të organizohen, janë shumë të rëndësishme dhe për procesin e antarësimit të Shqipërisë në BE. Sigurisht që dita e zgjedhjeve është vetëm një ditë e procesit, më pas është pjesa pas votimit. Të gjitha këto janë shumë të rëndësishme se si do vijojë ecuria. Ne bëjmë një analizë, por me shumë kureshtje presim të shohim gjetjet që do të bëjë skuadra vëzhguese e OSBE/ODIHR.

Kështu që po i paraprij një prej pyetjeve, por unë nuk do bëj një prononcim për mënyrën e zgjedhjeve, sepse ne do të presim gjetjet e OSBE/ODIHR, pasi ata kanë një grup tejet të madh të shpërndarë në gjithë Shqipërinë që do të bëjnë gjatë procesit të zgjedhjeve”, u shpreh Gonzato.

Më herët, edhe Ambasadori i OSBE-ODIHR, Lamberto Zannier zhvilloi një vizitë në një qendër votimi në Tiranë, njësinë nr.10, ku votimi kryhet në mënyrë elektronike.

Zannier deklaroi për mediat se ditën e nesërme do të ketë një konferencë për shtyp, ku do të japin edhe vlerësimin e procesit. 

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese