
Prania e presidentit turk Recep Tayyip Erdogan në Samitin e Komunitetit Politik Europian në Tiranë, ka marrë vëmendjen e shtypit grek. “Protothema.gr” ka publikuar pamje nga pritja që Edi Rama i rezervoi mikut të tij dhe ndalet dhe tek batutat që ata shkëmbyen mes tyre.
“Gjatë ceremonisë zyrtare të mirëseardhjes, Erdogan kaloi momente relaksuese me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Momenti kur presidenti turk komentoi për këpucët e Ramës, duke thënë me një buzëqeshje: “Ke veshur atlete”, ishte veçanërisht mbresëlënës”, shkruan media greke.
Më pas, në deklaratat për gazetarët, Erdogan tha karakteristikisht: “Do të flasim për paqen nga Shqipëria për të gjithë botën”, duke nënvizuar nevojën për stabilitet dhe bashkëpunim në një epokë sfidash gjeopolitike, vijon shtypi grek.
Cumhurbaşkanı Erdoğan, Arnavutluk Başbakanı Edi Rama tarafından karşılandı. pic.twitter.com/uIshxr11hg
— Gazete.net (@gazetenette) May 16, 2025
Greqia dhe Turqia kanë arritur të lënë pas kundërshtitë e forta mes tyre dhe janë përfshirë në një proces dialogu, i cili nuk ka bërë ndonjë përparim të konsiderueshëm në mosmarrëveshjet afatgjata, ama zyrtarët grekë e konsiderojnë më të preferueshëm sesa periudhat e kaluara të tensionit të lartë.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, mbërriti në Tiranë të premten në mëngjes për të marrë pjesë në Samitin e gjashtë të Komunitetit Politik Evropian, i cili bashkon anëtarët e Bashkimit Evropian dhe vendet e rajonit më të gjerë gjeografik që nuk janë pjesë e Unionit.
Përveç udhëheqësve të 47 shteteve, në samit marrin pjesë edhe presidentët e Këshillit Evropian, Komisionit Evropian dhe Parlamentit Evropian.