Fatos Nano, një prej figurave më të rëndësishme politike të periudhës së tranzicionit dhe të Partisë Socialiste, ndërroi jetë sot në mesditë. Homazhet në nder të Fatos Nanos do të mbahen ditën e dielë në Pallatin e Kongreseve, ditë që është shpallur zi kombëtare me vendim të Këshillit të Ministrave.
Pjesëmarrës në ceremoni do të jenë figura të shquara të botës politike shqiptare, bashkëpunëtorë, miq, të afërm e qytetarë, të gjithë për t’i bërë liderit historik të PS-së nderimet e fundit.
Homazhet publike do të nisin prej prej 08:30 deri në orën 11:00 e më pas fillojnë ato shtetërore. Në orën 12 qeveria ka urdhëruar ndërprerjen e çdo aktiviteti për mbajtjen e një 1 minutë heshtje në mbarë vendin.
Fatos Nano shërbeu si kryeministër në tranzicionin e fundit të qeverisë komuniste të 91-shit ndërsa mori drejtimin e Partisë Socialiste që në datën e themelimit, të cilën shumë vite më vonë ia dorëzoi Edi Ramës.
“Shpallja e Zisë Kombëtare në nderim të të ndjerit Fatos Nano, ish-Kryeministër, udhëheqës dhe politikan i shquar
Këshilli i Ministrave ka vendosur shpalljen Zi Kombëtare ditën e diel, më 2 nëntor 2025, në nderim të Fatos Nanos, ish-Kryeministër dhe një prej figurave më të rëndësishme të politikës shqiptare.
Në respekt të kontributit të tij të çmuar në jetën publike dhe politike të vendit, do të zhvillohet ceremonia funebre shtetërore dhe Homazhet Kombëtare për të ndjerin.
Në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike flamuri kombëtar do të ulet në gjysmë shtize.
Në orën 12:00, në nderim të tij, do të ndërpriten të gjitha veprimtaritë dhe do të mbahet një minutë heshtje në mbarë vendin.
Radiotelevizioni Publik Shqiptar gjatë zhvillimit të ceremonialit shtetëror, do të transmetojë muzikë funebre.
Homazhet dhe Ceremonia Shtetërore
Pallati i Kongreseve, Tiranë
• 08:30 – 11:00 – Homazhe publike
• 11:15 – 11:45 – Homazhe shtetërore dhe nderim nga personalitetet
• 12:05 – Ceremonia funebre shtetërore e lamtumirës
Për organizimin e ceremonisë është ngritur një Komision i Posaçëm Shtetëror nën mbikëqyrjen e Kryeministrit, me përfaqësues nga institucionet kryesore shtetërore dhe të sigurisë”, thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

