Hapësire reklamuese

Çështjet kryesore

Politikë

Shqipëria në Forumin e Antalias, ministri Ferit Hoxha: Në një botë gjithnjë e më të fragmentuar, diplomacia mbetet instrumenti kryesor i stabilitetit

Shkruar nga Newsbomb
Shqipëria në Forumin e Antalias, ministri Ferit Hoxha: Në
Ministri Ferit Hoxha ne Forumin e Antaljas

Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha, ka përfaqësuar Shqipërinë në edicionin e 5-të, të Forumit të Diplomacisë, i mbajtur në Antalja këtë fundjavë.

Në panelet e këtyre dy ditëve, ministri pati një sërë takimesh dypalëshe me partnerë të vendit tonë, në rrugën drejtë anëtarësimit në Bashkimin Europian. Në lidhje me këta partnerë Hoxha ka rikonfirmuar “angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për një të ardhme të përbashkët europiane”

Përmes një postimi në llogarinë e tij në rrjetin social “X”, ministri ka paraqitur në "tablo" të plotë të diskutimeve, mesazheve dhe paneleve të debatit.

Ferit Hoxha: “Isha i nderuar të përfaqësoja Shqipërinë në edicionin e 5-të të Forumit të Diplomacisë të Antalias, më 17–18 prill 2026. Në kohë krizash, diplomacia mbetet mjeti ynë më i fortë për të nxitur dialogun, për të ndërtuar besim dhe për të avancuar paqen. Pata dy ditë të plota dhe shumë produktive, të cilat ofruan një mundësi të shkëlqyer për zhvillimin e shumë takimeve dypalëshe me partnerë në rrugën e anëtarësimit në BE, duke rikonfirmuar angazhimin e palëkundur të Shqipërisë për bashkëpunimin rajonal dhe për një të ardhme të përbashkët evropiane.

Isha gjithashtu i kënaqur të merrja pjesë në një panel diskutimi dhe të paraqisja perspektivën tonë mbi “Bërja e Paqes në Ballkanin Perëndimor”, duke theksuar se bashkëpunimi rajonal nuk është thjesht zgjedhja e duhur për vendet e rajonit, por një domosdoshmëri për stabilitetin, qëndrueshmërinë dhe integrimin evropian. Në këtë kuadër, nënvizova rëndësinë e dialogut të vazhdueshëm, besimit të ndërsjellë dhe rezultateve konkrete që afrojnë shoqëritë tona. Gjithashtu, mora pjesë për herë të parë në Platformën e Paqes për Ballkanin, një nismë e ndërmarrë nga Ministri i Jashtëm i Turqisë, e cila synon forcimin e dialogut rajonal dhe promovimin e një kulture paqeje në rajonin tonë.

Nëse do të tentoja të përmblidhja shkurtimisht diskutimet e shumta e të larmishme të këtyre dy ditëve, do të mund të thoja: në një botë gjithnjë e më të fragmentuar dhe të paparashikueshme, diplomacia mbetet instrumenti kryesor i stabilitetit dhe vetëm përmes bashkëpunimit të qëndrueshëm, dialogut strategjik dhe përgjegjësisë kolektive mund ta kthejmë pasigurinë në stabilitet dhe të sigurojmë një paqe të qëndrueshme, duke investuar në një të ardhme më të mirë për të gjithë.”

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese