Nga Adri Nurellari
Një nga ironitë më të mëdha të sulmeve të pushtetarëve është se Revolucionin e Flamingove po paraqiten ta trajtojnë si një lëvizje kundër investimeve të huaja apo kundër kapitalizmit. Madje kam shumë nga rrethi im shoqëror që mbështetjen time për këto protesta ma kanë quajtur si tradhëti ndaj bindjeve të liberalizmit klasik të cilat i mbroj me zjarr në publik prej pothuaj tre dekadash. Prandaj vendosa ta shkruaj këtë shkrim për të thënë se argumenti do duhej të formulohet pikërisht në të kundërtën sepse Revolucioni i Flamingove është faktikisht një betejë për ekonominë e tregut të bazuar në konkurrencë, drejtësi e barazi para ligjit.
Në një ekonomi të vërtetë kapitaliste sikurse e mendonte Adam Smithi, babai i liberalizmit, sipërmarrësit konkurrojnë mes tyre në kushte të barabarta dhe askush nuk merr privilegje për shkak të mbiemrit, lidhjeve politike apo afërsisë me pushtetin. Shteti thjesht vendos rregullat e lojës dhe më pas qëndron neutral ndaj lojtarëve. Siç paralajmëronte Milton Friedman, kërcënimi më i madh për ekonominë e tregut nuk vjen domosdoshmërisht nga kundërshtarët e kapitalizmit, por shpesh nga vetë bizneset që kërkojnë privilegje, monopole dhe favore nga shteti. Kur fitimi buron nga lidhjet politike dhe jo nga konkurrenca, nuk kemi më ekonomi tregu por atë që Friedman dhe shumë liberalë modernë do ta quanin kapitalizëm klientelist.
Prandaj ajo që shpesh sulmohet gabimisht si dështim i kapitalizmit, në të vërtetë është dështim i sistemit klientelist kleptokrat. Përmes Teorisë së Zgjedhjes Publike (Public Choice Theory), Nobelisti James Buchanan zbuloi fenomin e kërkimit të privilegjeve ekonomike përmes rrugëve politike (rent-seeking), ku bizneset i transferojnë energjitë e tyre nga inovacioni te lobimi politik për të siguruar licenca, mbrojtje dhe privilegje ekskluzive. Për këtë arsye, konflikti aktual nuk është aspakt mes kapitalizmit dhe ambientalizmit por mes kapitalizmit konkurrues ku fituesit i zgjedh konsumtaroi dhe një shteti të kapur ku fituesit i zgjedh pushteti
Një tjetër problem ka të bëjë me faktin se krijon pabarazi ligjore dhe jo pabarazi tregu. Këtë dallim e formuloi qartë edhe Friedrich Hayek, i cili argumentonte se një shoqëri e lirë nuk mund të garantojë barazi rezultatesh, por duhet të garantojë barazi rregullash. Për Hayek-un, shteti nuk duhet të trajtojë njerëzit sipas identitetit, pasurisë apo lidhjeve të tyre, por sipas të njëjtave norma të përgjithshme e abstrakte që vlejnë për të gjithë. Pikërisht sepse individët janë të ndryshëm në talent, ambicie dhe fat, rezultatet do të jenë të ndryshme; por ligji duhet të mbetet i njëjtë për të gjithë. Në thelb, liberalizmi klasik lindi si një kryengritje intelektuale dhe politike kundër ideologjisë se disa njerëz, për shkak të gjakut, titullit apo afërsisë me pushtetin, kishin më shumë të drejta e privilegje se të tjerët.
Kur një pronar lokali rrezikon gjoba apo shembje për disa metra tarracë, kur një familje nuk merr dot leje për të ndërtuar në pronën e vet, kur një fermer përballet me burokraci pafund për të përdorur tokën e tij, ndërsa për projekte gjigante të njerëzve me lidhje politike, ligjet ndryshohen dhe procedurat përshpejtohen, krijohet bindja se në Shqipëri ligji nuk është i barabart për të gjithë për të gjithë. Në momentin që pushteti fillon të bëjë përjashtime për të favorizuar disa investitorë të veçantë, nuk kemi më sundim të ligjit por sundim të privilegjit. Dhe aty nuk po mbrohet kapitalizmi; po rikrijohet, me mjete moderne, e njëjta logjikë feudale që liberalizmi klasik u ngrit për ta rrëzuar.
Këtë devijim e shpjegon qartë laureati nobel Douglass North, i cili argumentonte se prosperiteti afatgjatë i një vendi nuk varet kryesisht nga burimet natyrore apo thjesht nga volumi i investimeve të huaja, por nga cilësia e institucioneve të tij. Duke u mbështetur mbi këtë shkollë mendimi, ekonomistët modernë si Acemoglu dhe Robinson kanë treguar se vendet që ndërtojnë institucione "gjithëpërfshirëse" (inclusive) prodhojnë rritje të qëndrueshme, ndërsa ato që krijojnë institucione "ekstraktive" (zhvatëse) prodhojnë pasuri për pak njerëz dhe stagnim për shumicën.
Siç paralajmëronte James M. Buchanan, politika nuk duhet analizuar duke supozuar se pushtetarët janë engjëj. Edhe ata reagojnë ndaj interesave dhe incentivave personale. Pikërisht për këtë arsye, liberalët besojnë tek "qeveria e vogël" e luftojnë që pushteti të kufizohet. Sa më shumë hapësirë diskrecionale të ketë qeveria për të dhënë favore, përjashtime dhe trajtime speciale, aq më shumë ekonomia largohet nga tregu dhe afrohet me klientelizmin. Problemi nuk është vetëm një projekt i privilegjuar. Problemi është mesazhi që i dërgohet gjithë shoqërisë: se suksesi nuk varet nga konkurrenca, inovacioni apo puna, por nga afërsia me pushtetin. Çdo privilegj i dhënë krijon kërkesë për privilegje të reja. Çdo përjashtim nga rregulli dobëson vetë rregullin. Dhe me kalimin e kohës, ekonomia pushon së qeni një garë për të krijuar vlerë dhe shndërrohet në një garë për të kapur shtetin. Kjo është rruga që të çon jo drejt kapitalizmit, por drejt oligarkisë.
Një nga parimet themelore të ekonomisë liberale që shkelet nga projekti i Zvërnecit dhe shumë projekte të tjera të kësaj qeverie, është se fitimi duhet të jetë shpërblim për marrjen e riskut. Siç argumentonte ekonomisti i Shkollës së Çikagos, Frank Knight, fitimi i pastër ekonomik është i ligjshëm vetëm kur sipërmarrësi bart vetë pasigurinë e tregut. Por nëse një pjesë e riskut transferohet te shteti, te taksapaguesit apo te komuniteti lokal, atëherë fitimi nuk është më produkt i tregut; është produkt i privilegjit politik.
Po kështu, tregu funksionon vetëm kur çmimet pasqyrojnë kostot reale. Nëse një projekt shkakton ndotje, humbje biodiversiteti, presion mbi infrastrukturën, konsum të hapësirave publike apo shkatërrim të kapitalit natyror pa paguar për këto kosto, atëherë tregu po shtrembërohet. Nobelisti tjetër liberal Ronald Coase, në analizën e tij mbi "Kostot Sociale", ka provuar se tregu dështon dhe alokimi i burimeve bëhet joefikas pikërisht kur dëmet që një palë i shkakton të tjerëve lihen jashtë llogarive financiare. Përtej tokës publike, lehtësirave fiskale dhe privilegjeve ligjore, projekte të tilla si ky i Zvernecit shpesh subvencionohen edhe përmes eksternaliteteve që paguhen nga shoqëria: furnizimi me ujë, trajtimi i ujërave të zeza, menaxhimi i mbetjeve, ndërtimi dhe mirëmbajtja e rrugëve, zgjerimi i rrjetit energjetik, shërbimet e policisë, zjarrfikësve dhe emergjencave, kostot e mbrojtjes nga përmbytjet dhe erozioni, degradimi i biodiversitetit, humbja e habitateve natyrore, ndotja e ajrit, ujit dhe zhurmës, rritja e çmimeve të tokës dhe banimit për komunitetet lokale, mbingarkesa e infrastrukturës publike dhe konsumimi i kapitalit natyror të pazëvendësueshëm, duke krijuar një sistem ku fitimet privatizohen ndërsa kostot shpërndahen tek taksapaguesit dhe brezat e ardhshëm. Në gjuhën e ekonomisë, kemi privatizim të fitimeve dhe socializim të kostove, nuk kemi ekonomi tregu, por një subvencion i fshehur.
Një tjetër shkelje ndaj parimeve liberale, ka të bëjë me shtrembërimin e sistemit të çmimeve. Hayek-u ka argumentuar se çmimi është mekanizmi që transmeton informacionin e nevojshëm për funksionimin e tregut dhe si i tillë sjell shpërndarjen efikase të burimeve. Kur toka publike, vijat bregdetare, pasuritë natyrore apo privilegjet fiskale jepen me çmime artificiale, me 1 euro ose nën vlerën reale të tregut, sistemi i çmimeve pushon së funksionuari. Burimet nuk shkojnë aty ku krijojnë vlerën më të madhe të shtuar ekonomike, por aty ku ekziston lidhja më e fortë politike. Kjo është pikërisht e kundërta e logjikës së tregut.
Ekziston edhe një dimension tjetër ekonomik që shpesh mungon në debatin publik. Siç argumentonte ekonomisti liberal Frédéric Bastiat në esenë e tij të famshme "Ajo që shihet dhe ajo që nuk shihet", analiza ekonomike nuk duhet të ndalet vetëm te përfitimet e dukshme të një projekti, por duhet të marrë parasysh edhe kostot e fshehura dhe mundësitë e humbura. Nuk mjafton të pyesim se çfarë fiton Shqipëria nga një investim i caktuar. Duhet të pyesim edhe se çfarë humbet. Kur një territor unik si Zvërneci i dedikohet një përdorimi të vetëm, lind pyetja se cilat alternativa po përjashtohen? Çfarë lloj turizmi tjetër mund të zhvillohej aty? Çfarë investimesh të tjera po pengohen? Çfarë vlere ekonomike afatgjatë mund të krijonte ruajtja e kapitalit natyror? Cilat mundësi po u mohohen brezave të ardhshëm? Kostoja reale e një projekti nuk është vetëm ajo që ndërtohet, por edhe ajo që nuk mund të ndërtohet më pas.
Në logjikën e Bastiat-it, përfitimi i dukshëm është ai që shohim sot; investimi, ndërtimi, vendet e punës apo kapitali që hyn në vend. Por ekziston edhe ana e padukshme e bilancit: mundësitë e humbura, alternativat e përjashtuara dhe vlera e ardhshme që sakrifikohet. Në një Mesdhe ku qindëra kilometra të tërë bregdeti janë betonizuar tashmë nga Spanja deri në Turqi, pasuria më e madhe ekonomike e Shqipërisë dhe avantazhi i krahasuar mund të mos jetë aftësia për të ndërtuar më shumë, por aftësia për të ruajtur atë që të tjerët e kanë humbur prej grykësisë. Ekonomia e tregut e vlerëson rrallësinë, prandaj sa më e rrallë, e pazëvendësueshme dhe e kufizuar të jetë një pasuri natyrore, aq më e lartë duhet të jetë vlera e saj dhe aq më e kujdesshme duhet të jetë përdorimi i saj. Pikërisht për këtë arsye një analizë serioze ekonomike kapitaliste nuk mund të kufizohet te pyetja "çfarë fitojmë?", por duhet të shtrojë edhe pyetjen po aq të rëndësishme: "çfarë po humbasim?".
Ky shkrim mund të vazhdojë edhe me argumente e fakte të tjera, por ajo që duhet theksuar është se Revolucioni i Flamingove nuk ngre vetëm pyetjen se çfarë do të ndodhë me një shpend, një apo një projekt të vetëm. Ai ngre pyetjen më themelore për të ardhmen e Shqipërisë: a do të ndërtojmë një ekonomi ku pasuria krijohet përmes konkurrencës, inovacionit dhe shtetit ligjor, apo një ekonomi ku pasuria fitohet përmes privilegjit, përjashtimit dhe afërsisë me pushtetin? Si liberal që beson te shenjtëria e ligjit dhe konkurrencës si dhe tek e drejta e patjetërsueshme e komunitetit mbi pronën dhe kapitalin e vet natyror, mbështetja e kësaj kauze nuk është tradhti ndaj bindjeve të mia. Përkundrazi, është dëshmia më e pastër e besnikërisë ndaj tyre. Prandaj jam i bindur që, nëse të gjithë këta kolosë të sipërpërmendur të liberalizmit klasik do të ishin gjallë sot, që nga Smithi, Bastiat dhe Knight, e deri te Nobelistët Hayek, Friedman, Buchanan, North dhe Coase, nuk do t'i gjeje në zyrat e pushtetit duke mbrojtur ligjet e dedikuara dhe privilegjet klienteliste, por do të ishin të gjithë në rreshtin e parë të "Revolucionit të Flamingove", sepse ajo protestë nuk është kundër tregut, por është vija e frontit ku mbrohet tregu i lirë dhe barazia para ligjit nga kthetrat e një feudalizmi të ri modern.
