Ka rënë në pranga mbrëmjen e sotme në Borsh përgjatë një operacioni të zhvilluar nga strukturat e Policisë së Shtetit Moisi Habilaj.
Ai ishte i shpallur në kërkim për trafikim të lëndëve narkotike, teksa mësohet se u lokalizua në një beachbar në pronësi të familjarëve të tij, ku edhe kishte qëndruar prej kohësh. Arrestimi është bërë i mundur prej forcave operacionale të Tiranës të cilat pas informacioneve të siguruara dhe përdorimit të metodave speciale të hetimit kanë bërë të mundur identifikimin e vendndodhjes së tij dhe rrethimin e zones.
Në momentin e arrestimit u konstatua se ai ishte maskuar me kapele dhe mjekër në mënyrë që të shmangte identifikimin nga autoritetet.
Pritet që në orët në vijim të jepen më shumë detaje në lidhje me operacionin dhe rrethanat e arrestimit.
Kujtojmë se Habilaj është shpallur fajtor për trafikim droge në 4 episode të ndryshme përgjatë viteve 2013-2017 në Shqipëri dhe në Itali, ai ka marrë dënimin prej 15 vitesh nga GJKKO por për shkak të gjykimit të shkurtuar ky dënim i ulet në 10 vite.
Ai konsiderohet si kreu i bandës “Habilajt”, i përbërë nga 8 anëtarë të tjerë përpos tij.
Në vitin 2021, Gjykata e Apelit të Katanias në Itali e dënoi përfundimisht Moisi Habilajn me 15 vite e 5 muaj burg. Bashkë me të u dënuan edhe Meridian Sula, Nezar Seiti, Antonino Riela, Vinccenso Spanpinato, Angjelo Buzaka, Xhanluka Pasavanti dhe Xhuzepe Greko.
Vendimi që e dënoi Habilajn me 15 vite e 5 muaj burg erdhi pasi më herët Gjykata kishte ndryshuar masën e sigurisë duke e nxjerrë nga qelia në "arrest shtëpie" Habilajn.
Më pas kur u vendos dënimi i tij, Habilaj nuk u gjet në banesën e tij në adresën që kishte dhënë në Raguza të Italisë, e cila ishte në pronësi të vëllait pasi ishte arratisur
Çështja e tij shkaktoi një diskurim të madh politik në Shqipëri për shkak të lidhjeve të ngushta dhe përgjimeve ku përmendej ish-ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
