Ditën e sotme ka filluar protesta e 14-të e qytetarëve kundër ndërtimit të resortit në Zvërnec, teksa një moment prekës është shënuar gjatë mbajtjes së fjalimeve të tyre. Pasi ka folur Florina Cani nëna e të ndjerit Martin Cani, 14-vjeçarit që u vra tragjikisht përpara një shkolle në kryeqytet.
Ajo u shpreh se gjithçka që kërkon është siguri dhe drejtësi, dhe me zërin që i dridhej e lumturionte paksa fakti që Tirana qe e mbushur me rini.
“Mendova të bashkohem me ju sot dhe të ngre zërin për fëmijët shqiptarë kudo që janë. Duam siguri, e çuam në shkollë dhe nuk u kthye. Jo nga paedukata, por nga pakujdesia e këtyre, që e kanë degraduar arsimin, shëndetësinë dhe të gjitha me radhë. Qeveri e krimit. Kam 18 muaj që protestoj dhe zemra plotë po më mbushet sot që po e shoh Tiranën të mbushur me rini. Faleminderit, në Shqipëri dhe në diasporë, faleminderit. Duam drejtësi dhe rend nëpër gjykata dhe drejtësi s’ka akoma. Poshtë qeveria e krimit, poshtë Edi Rama. Dua të përmend edhe ata që i shtypin makinat nëpër rrugë, sepse nuk ka siguri. Martinin mund ta kishim sot, nëse funksiononte aparatura e zemrës. Por nuk funksionon. Edhe ai tjetri fëmij ishte, nuk po bëj me faj atë, por qeverinë tonë, sepse nuk ka asnjë kusht për siguri”,u shpreh ajo.
