Sibuel Durrësi, personi që tentoi të shtypte me makinë disa persona në qendër të qytetit të Shkodrës, është ndaluar me urdhër të Prokurorisë së qytetit, si person i dyshuar për veprën penale “Vrasje me dashje”, e mbetur në tentativë.
Ngjarja ka ndodhur më datë 07.06.2026, ku pas një konflikti të çastit dhe në gjendje të dyshuar të dehur, shtetasi Sibuel Durrësi ka tentuar të përplasë me automjet disa persona, duke u rrezikuar seriozisht jetën.
Fillimisht, rasti është referuar si aksident rrugor, por pas veprimeve të thelluara hetimore dhe publikimit të pamjeve në media, Prokuroria e Shkodrës ka ndryshuar kualifikimin ligjor të veprës dhe ka urdhëruar ndalimin e të dyshuarit për “Vrasje me dashje, e mbetur në tentativë”.
Sipas të dhënave paraprake, ngjarja ka nisur pas një debati mes drejtuesit të automjetit dhe disa personave të tjerë, i cili më pas është përshkallëzuar në konflikt fizik.
Sibuel Durrësi dyshohet se është goditur me grushte nga personat që po qëndronin në pedonale, ndaj ai ka reaguar menjëherë duke i përplasur me automjet katër prej tyre, të cilët mbetën të lënduar.
