Policia e Tiranës ka arrestuar në flagrancë katër shtetas, të cilët dyshohet se shpërndanin lëndë narkotike në zona të ndryshme të kryeqytetit.
Sipas njoftimit të policisë, në pranga kanë rënë shtetasit Ilir Doda, Elger Spahiu, Florian Gjyzeli dhe Erjon Dani.
Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin siguronin sasi të konsiderueshme lëndësh narkotike, të cilat më pas i ndanin në doza dhe i shisnin në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në zonat e njohura si “Ish-Parku” dhe “Brryli”.
Nga hetimet rezulton se shtetasi Erjon Dani dyshohet se shpërndante doza kokaine në disa zona të kryeqytetit.
Gjatë operacionit, policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale mbi 400 gramë lëndë të dyshuar narkotike kokainë, një pjesë e së cilës ishte e ndarë në më shumë se 200 doza, si dhe 2 peshore elektronike, shuma parash dhe 4 telefona celularë.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Finalizohet faza e 4-t e operacionit të koduar “Zonat”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike.
Vihen në pranga 4 shtetas që shitnin lëndë narkotike Kokainë, në zona të ndryshme në Tiranë.
Sekuestrohen mbi 400 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë (një pjesë e ndarë në mbi 200 doza), 2 peshore elektronike, shuma parash dhe 4 celularë.
Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale të kryera mbi bazën e informacioneve të siguruara në rrugë operative për raste të shitjes së Kokainës, organizoi dhe finalizoi në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponja”, fazën e 4-t të operacionit të koduar “Zonat”. Si rezultat, u vunë në pranga shtetasit:
-E. S., 45 vjeç, I. D., 54 vjeç dhe F. Gj., 48 vjeç, të cilët u kapën në flagrancë në Rrugën e Kavajës, me sasi të lëndës të dyshuar narkotike Kokainë, që i posedonin me qëllim shitjen. Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, siguronin lëndë narkotike në sasi të konsiderueshme dhe më pas e shitnin në doza, në zona të ndryshme të Tiranës, kryesisht në zonat e quajtura “Ish-parku” dhe “Brryli”. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 350 gramë lëndë e dyshuar narkotike Kokainë dhe 2 peshore elektronike.
-E. D., 32 vjeç, i cili dyshohet se shiste doza Kokaine, në disa zona në Tiranë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan një sasi lënde e dyshuar narkotike Kokainë (e ndarë në mbi 220 doza) dhe një shumë parash, që i posedonte ky shtetas, në ambientet e subjektit ku punonte.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
