Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha në takimin e parë virtual me qytetarët për vitin 2026, ka komentuar rrëzimin nga pushteti të presidentit të Venezuelës Nicolas Maduro pas bombardimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Me vite të njëjta si kryeministri Edi Rama në krye të një vendi, Berisha thotë se rrëzimi i Maduros është inkurajim i madh për opozitën shqiptare, të cilët prej kohësh janë zotuar për të larguar Ramën nga qeverisja.
“Forcat ushtarake amerikane dhe qeveria e SHBA morën vendimin e tyre për rrëzimin, arrestimin e diktatorit të shëmtuar të Venezuelës, Maduros, dhe evakuimin e tij jashtë vendit për t’i bërë gjyqin e merituar. Largimi i Maduros nga pushteti, këtij diktatori të lidhur me drogën dhe manipulimin e zgjedhjeve, është një lajm i mirë për të gjithë njerëzit e lirë kudo në botë, veçanti për popullin e Venezuelës që vuajti kaq vite nën regjimin e tij. Por është një lajm shumë i mirë edhe për shqiptarët, të cilët përjetojnë regjimin e klonit të tij në Shqipëri, të cilat mediat amerikane dhe jo vetëm ato, e kanë quajtur Ramaduro.
Këto zhvillime në Venezuelë janë një inkurajim shumë i madh për opozitën shqiptare për të bërë detyrën e vet, largimin sa më shpejt nga pushteti të një personi, të një diktatori që qëndron mbi votën e grabitur, mbi lidhjet e tij me krimin dhe drogën dhe vjedhjet e shqiptarëve”, tha Berisha.
Të njëjtin paralelizëm bëri dhe ish-deputeti Ervin Salianji, i cili thotë se regjimet që mbahen nga krimi duken të forta, por janë të përkohshme. Ai e mbyll reagimin e tij duke thënë se “historia e regjimeve kriminale ka një fund të përbashkët; shembjen”, nënkuptuar këtu për Partinë Socialiste me në krye Edi Ramën.
“Një agim i ri për Venezuelën, një shpresë e madhe për agim të ri në Shqipëri Për ata që thonë se Shtetet e Bashkuara nuk kanë instrumente për të ndryshuar regjime kriminale, mjafton t’i hedhin një sy gangsterit të Venezuelës. Regjimet që mbahen me krim, korrupsion dhe shtypje mund të duken të forta, por janë të përkohshme.
Kur drejtësia ndërkombëtare lëviz, asnjë pushtet i ndërtuar mbi frikën nuk është i sigurt. Edhe në Shqipëri, kush mendon se pushteti i mbështetur te bandat, manipulimi dhe kapja e institucioneve është i përjetshëm, gabon rëndë. Historia e regjimeve kriminale ka një fund të përbashkët: shembjen!”, tha Salianji.
Kujtojmë që protestat janë intensifikuar në Shqipëri për shkak të shumë partive opozitare dhe të përçara, por me qëllim të përbashkët, rrëzimin e kryeministrit Edi Rama dhe krijimin e qeverisë teknike. Pavarësisht këtyre, pjesëmarrja qytetare ka qenë gjithmonë e ulët dhe asnjë prej këtyre revoltave nuk ka bërë qoftë progresin më të vogël.

