Kryeministri Edi Rama ka reaguar menjëherë pas vendimit të ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili në një konferencë për mediat ka deklaruar se nuk i njeh zgjedhjet e 11 Majit dhe në datë 16 Maj kur në Tiranë do të vijnë liderët e gjithë Europës, demokratët do t’i presin me protestë.
Ai ka ndarë një fotografi të heroit tonë kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu, dhe thotë se stërnipërit e tij do të jenë krenarë për emrin e Shqipërisë.
“Më 16 maj të gjithë ata do të mblidhen nga të katër anët e Europës në sheshin tënd o Mbret dhe ne, stërnipërit e tu do të jemi të gjithë krenarë për emrin e Shqipërisë tonë, që do të shqiptohet në të gjitha gjuhët e botës”, shkruan kryeministri Edi Rama.
Ish-kryeministri Sali Berisha lajmëroi këtë të martë se protesta do të jetë paqësore dhe nuk do të cënohet në asnjë moment siguria e delegacione, ama qëllimi i saj, sipas tij, do të jetë njohja e liderëve europianë me krimet monstruoze elektorale të Edi Ramës.
“Libri i zi i këtyre zgjedhjeve shkruhet me datën 16 ora 17:00 në bulevardin Zogu i Parë për të sensibilizuar opinionin publik botëror mbi krimet monstruoze të përbindëshit elektoral Edi Rama që nuk respekton asnjë rregull dhe asnjë ligj kombëtar për zgjedhjet.
Protesta do të jetë paqësore. Garantoj se s’do të ketë probleme që të cenojë në shkallën më të vogël sigurinë e dijetarëve që vijnnë, por që ata të mësojnë se kanë qenë të ftuar nga një narkodiktator që nuk njeh ligj e as moral pëer votën e vullnetin e qytetarëve të tij”, u shpreh Sali Berisha.
Në datat 15 dhe 16 maj, Tirana do të mirëpresë Samitin e Komunitetit Politik Europian, me pjesëmarrjen e liderëve nga e gjithë Europa. Për shkak të ngjarjes, do të ketë masa të shtuara sigurie, bllokime rrugësh dhe trafik të rënduar në Tiranë dhe zonat përreth.
