Procesi i hapjes së kutive të votimit vijon ndërsa të gjithë presin rezultatin final të zgjedhjeve parlamentare të 11 Majit.
Për kryesocialistin Edi Rama i cili kërkon një mandat të katërt qeverisës nuk ka pushim ndërsa mësohet se ndodhet në godinën e Partisë Socialiste së bashku me njerëzit më të afërt në pritje të shifrave përfundimtare.
Kreu i PD, Sali Berisha, duket se nuk ka rezistuar shumë dhe ka lënë selinë blu duke iu drejtuar shtëpisë së tij. Pas daljes nga selia, Berisha nuk kishte asnjë koment për mediat.
Sali Berisha mbajti një konferencë për shtyp rreth një orë pas mbylljes së procesit të votimit ndërsa iu shmang pyetjes nëse do ta pranonte rezultatin në rast humbjeje.
Kreu i PD, Sali Berisha, deklaroi se sovrani ka folur, duke pretenduar se shqiptarët e kanë votuar maksimalisht.
Por sipas përditësimit të fundit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, janë numëruar 99 kuti votimi nga 5225 kuti në total dhe bie në sy një epërsi e thellë e Partisë Socialiste. 53.73% të votave janë marrë nga PS dhe 34.69 % të votave nga PD.
