Në mbledhjen e sotme, Këshilli i Ministrave ka marrë disa vendime, ku një prej tyre ka qenë dhe vendimi që i hap rrugë kompensimit financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronat e të cilëve preken nga ndërtimet e legalizuara.
Ky vendim të cilit i është dhënë “drita jeshile” këtë të mërkurë nga qeveria synon të përmbyllë një pjesë të rëndësishme të problematikës së trashëguar ndër vite.
Skema e kompensimit do të zbatohet për sipërfaqet e zëna nga ndërtimet e legalizuara në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Rurale 1, Tiranë Rurale 2, Kamzë-Vorë, Durrës-Kavajë-Krujë, Tiranë Veri, Tiranë Jug, Vlorë, Elbasan, Lezhë, Dibër, Zonat e Stimuluara, Fier dhe Shkodër.
Po ashtu, është miratuar dhe indeksimi i pagave me 2.5% për disa kategori në administratën publike. Nga indeksimi do të përfitojnë punonjësit e shërbimit zjarrfikës, punonjësit e pushtetit vendor, por dhe personeli shqiptar i misioneve diplomatike të Shqipërisë në shtetet e huaja.
“Vendim për miratimin e vlerave për secilin element përbërës të pagës bruto mujore të punonjësve të Shërbimit të Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimin”.
Vendim për ndryshime në vendimin nr.328, datë 31.5.2023, të Këshillit të Ministrave, “Për klasifikimin e funksioneve, grupimin e njësive të vetëqeverisjes vendore, për efekt page, dhe caktimin e kufijve të pagave të funksionarëve të zgjedhur e të emëruar, të nëpunësve civilë e të punonjësve administrativë të njësive të vetëqeverisjes vendore”.
Vendim për disa ndryshime dhe shtesa në vendimin nr.324, datë 31.05.2023 të Këshillit të Ministrave “Për përcaktimin e pagave të punonjësve të personelit shqiptar të misioneve diplomatike të Republikës së Shqipërisë në shtetet e huaja, në përfaqësitë ushtarake të Republikës së Shqipërisë pranë NATO-s, në organizatat ndërkombëtare dhe në shtabet ushtarake ndërkombëtare, si dhe të punonjësve të tjerë shqiptarë për kohën që shërbejnë si nëpunës ndërlidhës, si oficerë kontakti, si përfaqësues të ministrisë përgjegjëse për bujqësinë dhe si prokuror ndërlidhës pranë EUROJUST në Hagë, Holandë”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e bërë.
V E N D I M PËR KOMPENSIMIN FINANCIAR TË PRONARËVE TË PASURIVE TË PALUAJTSHME QË PREKEN NGA NDËRTIMET E LEGALIZUARA
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
1. Kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, për sipërfaqet takuese, të zëna nga ndërtimet e legalizuara në drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Rurale 1, Tiranë Rurale 2, Kamzë-Vorë, Durrës-Kavajë-Krujë, Tiranë Veri, Tiranë Jug, Vlorë, Elbasan, Lezhë, Dibër, Zonat e Stimuluara, Fier dhe Shkodër.
2. Vlera e përgjithshme e kompensimit financiar është 1 089 383 502,2 (një miliard e tetëdhjetë e nëntë milionë e treqind e tetëdhjetë e tre mijë e pesëqind e dy presje dy) lekë, për sipërfaqen 101 752,1 (njëqind e një mijë e shtatëqind e pesëdhjetë e dy presje një) m², sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi dhe është pjesë përbërëse e tij.
3. Për kompensimin financiar të pronarëve të pasurive të paluajtshme që preken nga ndërtimet e legalizuara, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për pasuritë me numrat rendorë, sipas kolonës nr.14, të shtojcës nr.1, përkatësisht: nr.10, nr.11, nr.18, nr.19, nr.24, nr.28, nr.38, nr.39, nr.43, nr.47, nr.49, nr.50, nr.52, nr.53, nr.56, nr.57, nr.62, nr.63, nr.75, nr.80, nr.83, nr.84, nr.85, nr.87, nr.104, nr.112, nr.125, nr.128, nr.132, nr.135, nr.138, nr.148, nr.152, nr.155, nr.156, nr.159, nr.168, nr.169, nr.170, nr.171, nr.172, nr.188, nr.201, nr.212, nr.219, nr.221, nr.222, nr.223, nr.248, nr.259, nr.269, nr.276, nr.282, nr.294, nr.295, nr.299, nr.304, nr.313, nr.321, nr.322, nr.379, nr.403, nr.408, nr.413, nr.418, nr.419, nr.426, nr.427, nr.428, nr.430, nr.432, nr.433, nr.436, sipas seksionit të veçantë (kolona 19), të shtojcës nr.1, shuma e kompensimit financiar vihet në dispozicion nga Agjencia e Trajtimit të Pronave, sipas pikave 3 dhe 4, të nenit 24, të ligjit nr.20/2020, “Për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë në Republikën e Shqipërisë”.
4. Të ardhurat, që arkëtohen nga drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si rrjedhojë e kalimit të pronësisë nëpërmjet shitjes së parcelës ndërtimore, si për pasuritë shtetërore edhe për pasuritë e të tretëve, në favor të objekteve informale që legalizohen, përdoren për kompensimin e pronarëve.
5. Drejtoritë vendore të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës: Tiranë Rurale 1, Tiranë Rurale 2, Kamzë-Vorë, Durrës-Kavajë-Krujë, Tiranë Veri, Tiranë Jug, Vlorë, Elbasan, Lezhë, Dibër, Zonat e Stimuluara, Fier dhe Shkodër kryejnë ndryshimet përkatëse për këto pasuri në regjistrat e pasurive të paluajtshme.
6. Ngarkohen Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Agjencia e Trajtimit të Pronave për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.
