Kandidati i opozitës për postin e kryetarit të Bashkisë së Himarës, Petro Gjikuria, ka folur pas përfundimit të procesit të votimit dhe pritjes së numërimit të votave të himariotëve.
Në një prononcim të shkurtër për mediat Gjikuria besimplotë është shprehur se do të jetë ai fituesi i zgjedhjeve, duke e ftuar kështu kundërshtarin e tij, Vangjel Tavo, që t’i bashkohet për të punuar bashkë për Bashkinë e Himarës.
“Unë do jem fitues, Tavo po të dojë të vijë të punojë për mua është i mirëpritur. Jam i sigurt që himariotët më kanë besuar”, tha Gjikuria ndër të tjera.
Teksa ka falenderuar një për një të gjithë ata që e mbështetën, kandidati i opozitës për Bashkinë e Himarës hodhi akuza të forta në drejtim të mazhorancës duke bërë me dije se ditën e sotme e gjithë administrata, ministra e deputetë kishin “zbarkuar” në Himarë ku dhe kishin kërcënuar qytetarët.
“Tani duhet të dini një gjë që këtu në këtë fushatë kishte zbritur pothuajse e gjithë adminsitrata që me kërcënime ka frikësuar, por himariotët treguan që nuk tremben dhe pjesëmarrja ishte një përqindje më e madhe dhe kjo tregon që himariotët nuk ulin kokën”, tha ai.
Pjesë nga fjala e Petro Gjikurisë:
Kemi pasur ditë të gjatë të gjithëve. Dua të falenderoj të gjithë bashkëqytetarët e mi që më mbështetën në këtë fushatë të shkurtër. I falenderoj nga zemra që panë një njeri që mund t’i ndihmonte për të zgjidhur problemet.Falenderoj PD . PL dhe të jgithe partitë opozitare që më mbështetën dhe stafin tim të mrekullueshëm që bënë një punë të mirë. Dua të them se unë do jem këtu, do numëroj nuëmri i kutive, himariotët folën dhe tani na ka ngelur të numërojmë kutitë.
Asnjë s’do i prekë këto kuti sepse janë kutitë ku himariotët votuan. Unë do jem këtu edhe nesër do punoj për himariotët.
Tani duhet të dini një gjë që këtu në këtë fushatë kishte zbritur pothuajse e gjithë adminsitrata që me kërcënime ka frikësuar, por himariotët treguan që nuk tremben dhe pjesëmarrja ishte një përqindje më e madhe dhe kjo tregon që himariotët nuk ulin kokën. Çdo rezultat të jetë do shikohen shkeljet që janë bërë dhe kjo është puna e KQZ. Unë do pranoj verdiktin që kanë dhënë himariotët.
Rezultati është verdikti çfarë kanë votuar. Po kërcënime dhe presione ka pasur dhe ju vetë duhet ti keni parë. Ministra deputetë kanë qenë këtu, po ata kanë punën e tyre unë kam punën time. Bëra një punë të pastër me sinqeritet dhe punova për himariotët.
