
Deputeti Dashnor Sula ka folur mëngjesin e kësaj të hëne lidhur me procesin zgjedhor dhe rezultatet e para ku Partia Socialiste është ajo forcë politike e cila po kryeson bindshëm dhe është drejt mandatit të katërt, duke venitur kështu shpresat e demokratëve për një rikthim në pushtet.
Sula nuk ka kursyer as kësaj here sulmet për ish-kolegët e tij demokratë, kryesisht për Flamur Nokën dhe Albana Vokshin duke i cilësuar si dy nga njerëzit më të urryer në Partinë Demokratike.
Ndër të tjera, deputeti u shpreh se bazuar në rezultatet e deritanishme Partia Socialiste do të mund të sigurojë 80 mandate.
“Rrezikon të rrëshqasë në diktaturë, e kam paralajmëruar muaj dhe vite më parë, për shkak të një personi si zoti Berisha dhe disa personave si Noka dhe Vokshi, janë njerëzit më të urryer. E morën një të mbaruar e vunë për të ngjallur… apo si historia e kandarit, ku shkoni pleqtë peshonin me kokërr, se nuk e kishe në krahun tjetër s’ka për të peshuar. Kur kam qenë unë aty kishte trefishim të votave për PD.
Kur erdha unë shkuam në rreth 7 mijë vota. Në 2005 jo se jam unë zoti, t jesh njeri që nuk vjedh, që punon. Këtë bënë luftë civile, i larguan, merr primaret, demokratët më votuan mua sepse besonin. Këta vënë njerëz qokash, jo njerëz që luftojnë. 78-76 mandate parashikoja të merrte PS, por sipas këtij trendi do të jetë tek 80”, tha Sula për Top Channel.