Sot, me urdhër të Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, është arrestuar ish-deputeti i Partisë Socialiste, Jurgis Çyrbja, së bashku me shtetasin Ahmet Masha.
Pas arrestimit të tyre, policia dhe agjentët e Byrosë Kombëtare të Hetimit kanë kryer kontrolle në disa banesa në zonën e Shijakut. Aktualisht, Çyrbja ndodhet në ambientet e Policisë së Durrësit, ku po vijojnë procedurat nga ana e SPAK dhe BKH, në kuadër të hetimeve të mëtejshme.
Ish-deputetit Jurgis Çyrbja, i cili dyshohet për lidhje me botën e krimit përmes komunikimeve në platformën e koduar SKY.
Çyrbja dyshohet se ka qenë në kontakt me individë të përfshirë në aktivitete kriminale në Durrës. Një ndër personat e arrestuar bashkë me të është Ahmet Masha, i njohur edhe me nofkën "Meçe", i cili ka qenë i përfshirë në një rast të mëparshëm të kontrabandës së naftës. Ndërkohë, një tjetër individ është shpallur në kërkim për lidhje me të njëjtën çështje.
Në vitin 2015, Masha u hetua për përfshirje në kontrabandën e karburantit të blerë në mënyrë të paligjshme nga Mali i Zi dhe u dënua me një gjobë prej 100,000 lekësh, ndonëse Prokuroria kishte kërkuar dënim me burg.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar përmes një njoftimi zyrtar zbuloi tri akuza kryesore që rëndojnë ndaj tij: korrupsion aktiv në zgjedhje, përkrahje e autorit të krimit dhe tregtimi i sekretit shtetëror.
Po ashtu ai dyshohet për bashkëpunim me një grup kriminal dhe përdorim të aplikacionit të koduar SKY ECC për komunikim me anëtarë të këtij grupi.
“Nisur nga interesi i madh i mediave ju komunikojmë se Policia e Shtetit ka ekzekutuar sot masen e sigurimit arrest ne burg të caktuar nga Gjykata e Posacme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuat ndaj shtetasit Jurgis Cyrbja, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Korrupsioni altiv në zgjedhje”, parashikuar nga neni 328 i Kodit Penal; “Përkrahja e autorit të krimit”, parashikuar nga neni 302/1/2 të Kodit Penal si dhe “Tregtimi i sekretit shtetëror nga shtetasit” parashikuar nga neni 295/1 i Kodit Penal. Nesër do të ketë një njoftim për shtyp me më shumë detaje.”, thuhet në njoftimin për media.
Çyrbja, ish-deputet i Partisë Socialiste, kishte dorëzuar mandatin e tij më 9 tetor, vetëm disa ditë përpara se SPAK të bënte publik lajmin e marrjes së tij si të pandehur. Arrestimi është kryer sot në Durrës, ku ish-deputeyti është ndaluar teksa udhëtonte me shoferin e tij, por policia ekzekutoi masën e "arrestit në burg" të caktuar nga Gjykata e Posaçme.
Burime për mediat tregojnë se Çyrbja është i përfshirë në një çështje që lidhet me vitin 2016, gjatë kohës kur ai drejtonte Hipotekën e Durrësit. Ai dyshohet se ka favorizuar grupin kriminal të Emiljano Shullazit në përfitimin e pronave në këtë qytet.
Arrestimi i tij është pjesë e një hetimi të zgjeruar për korrupsion dhe bashkëpunim me elementë kriminalë. SPAK pritet të japë më shumë detaje, ndërsa hetimet ende vazhdojnë.