Të gjitha aktivitetet e Partisë Demokratike të programuara për sot dhe nesër, në çdo seli në gjithë Shqipërinë, janë anuluar. Sekretari Flamur Noka ka nxjerr një urdhër të menjëhershëm, pas ikjes së trishtë të politikanit demokrat Gerti Bogdani.
"Në nderim të figurës së ish-deputetit Gert Bogdani, Partia Demokratike ka shpallur ditë zie ditën e enjte, datë 19 shtator 2024. Të gjitha aktivitetet e Partisë Demokratike në datat 18 dhe 19 shtator në të gjithë territorin do të anulohen.
Në të gjitha selitë e Partisë Demokratike flamuri kombëtar dhe flamuri i PD do të ulen në gjysmështizë dhe në orën 12.00 do të mbahet një minutë heshtje në të gjitha selitë e Partisë Demokratike", njofton zyra e shtypit e Partisë Demokratike.
Vdekja e parakohshme e Gerti Bogdani ka tronditur miqtë dhe kolegët e shumtë që ai kishte. 44 vjeçari ka pësuar arrest kardiak teksa bëhej gati për një takim zyrtar dhe pavarësisht se është dërguar me urgjencë në spital, ka mbyllur sytë përgjithmonë.
Politikani demokrat dhe profesori i njohur ishte në ambientet e Hotel "Rogner" në kryeqytet, nën shoqërinë e kolegëve dhe miqve të tij. Aty është ndjerë keq dhe ka shkuar në tualet, ku është gjetur pa ndjenja nga kamarieri.
Fatkeqësisht, ai është dërguar me autoambulancë në spital por mjekët nuk kanë mundur ta rikthejnë në jetë. Gerti Bogdani ishte i martuar me aktivisten Edlira Çepani dhe baba i dy fëmijëve të mrekullueshëm, Ajrës dhe Reinartit.

