
Një operacion i sigurisë maksimale si në aspektin organizativ ashtu dhe në zbatimin në terren mund të konsiderohet ai i SPAK për kryetarin e Partisë së Lirisë. Ilir Meta është arrestuar pak pas mesditës së kësaj të hëne në autostradën hyrëse të Tiranës.
Siç shihet dhe nga pamjet, Forcat Operacionale të Policisë së Shtetit dhe efektivë të Repartit RENEA i kanë bllokuar rrugën mjetit me të cilin lëvizte Ilir Meta dhe shoferi i tij, pranë "Cassa Italias", dhe i kanë kërkuar të dilte.
View this post on Instagram
Megjithatë, ish-presidenti ka bërë rezistencë dhe efektivët janë detyruar ta nxjerrin me forcë nga fuoristrada e modelit "Hyundai Tucson". Ilir Meta shihet duke u shtyrë me ta, teksa del nga makina dhe më pas kur shoqërohet në automjetin civil të Policisë.
Ilir Meta duket qartësisht me një bluzë jeshile, pasi i përdorte ato shpesh për shkak se është tifoz i ekipit skocez të "Celtics".

Nisur nga rrezikshmëria e madhe e operacionit dhe zhvillimi i tij nën masa "tepër sekret", Policia e Shtetit ka angazhuar efektivët e forcave elitë, si Operacionalja dhe RENEA, në zbatim të kërkesës së Prokurorisë së Posaçme për arrestimin e Ilir Metës.
Treshja e prokurorëve të SPAK, Sotir Kllapi, Altin Dumani dhe Arben Kraja kanë firmosur këtë të hënë prangosjen e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Newsbomb.al mëson se ai akuzohet për veprat penale "Mosdeklarim i Pasurisë" dhe "Pastrim i Parave".
Masë sigurie është njoftuar dhe për ish-bashkëshorten, Monika Kryemadhi, si person i lidhur me Ilir Metën për shkak të rrethanave familjare.
Ilir Meta kishte njoftuar mbajtjen e një konference publike nga selia e Partisë së Lirisë, në orën 13:40 të kësaj të hëne, datë 21 Tetor, por është arrestuar në mes të rrugës. Agjentët e BKH-së dhe efektivët e Policisë së Shtetit e kanë prangosur atë në zonën e "Cassa Italia".
© Newsbomb.al