
Ky është momenti kur Forcat Operacionale kanë ndaluar automjetin dhe kanë arrestuar ish-presidentin Ilir Meta. Burime jozyrtare për mediat bëjnë me dije se në momentin e arrestimit kreu i Partisë së Lirisë nuk ka bërë rezistencë.
Kryetari i Partisë së Lirisë është arrestuar me urdhër të Prokurorisë së Posaçme. Treshja e prokurorëve të SPAK, Sotir Kllapi, Altin Dumani dhe Arben Kraja kanë firmosur prangosjen e kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta. Newsbomb.al mëson se ai akuzohet për veprat penale "Mosdeklarim i Pasurisë" dhe "Pastrim i Parave".
Masë sigurie "Detyrim paraqitje" është dhënë dhe për Monika Kryemadhin, ish-kryetare e LSI dhe ish-bashkëshortja e Ilir Metës.
Edhe muaj më parë, është përfolur për prangosjen e kryetarit të Partisë së Lirisë me urdhër të SPAK, por atëkohë personazhe publike me influencë thanë se operacioni ishte pezulluar në moment të fundit. Menjëherë pas këtyre lajmeve, Ilir Meta nisi fushatë të fortë sulmesh direkt ndaj Altin Dumanit, duke e quajtur atë "Dum - Duman" dhe në shërbim të mazhorancës socialiste.
Ilir Meta kishte njoftuar mbajtjen e një konference publike nga selia e Partisë së Lirisë, në orën 13:40 të kësaj të hëne, datë 21 Tetor, por është arrestuar në mes të rrugës. Agjentët e BKH-së dhe efektivët e Policisë së Shtetit e kanë prangosur atë në zonën e "Cassa Italia".