Kryeministri Edi Rama, deputetë e ministra kanë mbërritur në Durrës, ku do të mbahet edhe mbledhja e Asamblesë Kombëtare të PS.
Mbledhja e Asamblesë do të nisë vetëm pas pak minutash, ku i pari që do të flasë do të jetë kryesocialisti Edi Rama.
Pas fjalës së kryetarit të Partisë Socialiste do të vijojnë më tej me zgjedhjen e organeve drejtuese të kësaj force politike, kryesinë dhe sekretarët e rinj.
Asambleja e re e PS-së, e përbërë nga rreth 350 anëtarë, u formua pas votimeve të Kongresit të PS-së të mbajtur më 28 korrik. Nga këta anëtarë, 156 u zgjodhën drejtpërdrejt nga delegatët e Kongresit, ndërsa pjesa tjetër janë automatikisht pjesë e Asamblesë për shkak të pozicioneve të tyre drejtuese në parti.
Pak ditë më parë, kryeministri Edi Rama mblodhi kabinetin qeveritar në rezidencën e Dajtit, në prag të nisjes së sesionit të ri parlamentar, ndonëse kjo mbledhje u zhvillua me pak detaje të zbuluara për publikun.
Kjo Asamble do të luajë një rol të rëndësishëm në përzgjedhjen e kandidatëve të PS për deputetë, të cilët do të konkurrojnë në zgjedhjet e ardhshme, duke vendosur bazat për strategjinë e partisë për të ruajtur mazhorancën.
