
500 votat e para në rang kombëtar sapo janë numëruar dhe Partia Socialiste është në epërsi në nëntë qarqe, ndërsa në tre qarqe kryesore të veriut dominon koalicioni opozitar i drejtuar nga Partia Demokratike.
Bëhet fjalë bastione që janë tradicionale të djathta, si Kukësi, Shkodra dhe Lezha, të cilat pavarësisht sesi kanë votuar në zgjedhjet e kaluara, duket se janë kthyer sërish te PD.
Sipas përditësimit të fundit nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, ora 04:00, janë numëruar 545 kuti votimi nga 5225 kuti në total dhe bie në sy një epërsi e thellë e Partisë Socialiste. 53.63% të votave janë marrë nga PS dhe 33.73% të votave nga PD.
Në të gjitha qarqet e tjera përveç "kurorës" së veriut, gara dominohet nga Partia Socialiste dhe në ato bastione që janë tradicionalisht të majta, diferenca mes dy partive kryesore është nga 1.000 deri në 3.000 vota.

Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, të ardhura nga 3010 qendra votimi nga gjithsej 5225, pjesëmarrja në rang kombëtar është regjistruar në 42.16%.
Qarku me pjesëmarrjen më të lartë është Dibra, me 50.10% të votuesve që kanë marrë pjesë në proces. Më pas vjen Tirana me 48.73%, që gjithashtu përfaqëson edhe numrin më të madh absolut të votuesve, 279,104 zgjedhës.
Ndërsa Kukësi renditet i treti me një përqindje të lartë pjesëmarrjeje prej 46.15%. Nga ana tjetër, ashtu si pritej qarku i Vlorës ka pasur pjesëmarrjen më të ulët në vend, me 31.49%, ose 62399 votues, e ndjekur nga Shkodra me 36.78%, ose 68410.
