Asambleja Kombëtare e Partisë Socialiste është në përfundim të punimeve dhe vendimet e para të marra mes socialistëve kanë nisur të dalin nga mbledhja hermetike në Gjirin e Lalëzit, ku mësohet se ka një riformatim të drejtuesve politikë në qarqe.
Newsbomb.al mëson se Elisa Spiropali është kryqëzuar për humbjen në Kavajë, e vetmja bashki e qarkut të Tiranës që socialistët nuk e morën dot, duke bërë që ajo të largohet si drejtuese dhe të delegohet në një njësi në Tiranë.
Telashet për politikanen e lartë socialiste që në nisje të Asamblesë u pa e qeshur, duket se nuk kanë të sosur. Edhe në raportimin e shifrave që bëri Sekretari i Përgjithshëm, Blendi Klosi, u evidentua para socialisteve se Kavaja "ishte humbur për faj të tyre".
Ndryshe nga Elisa Spiropali, në punimet e Asamblesë Kombëtare socialistët janë krenuar me qarkun e Fierit, të cilin Edi Rama ia ka besuar sërish Belinda Ballukut.
12 mandatet që ajo siguroi në zgjedhjet e fundit parlamentare, duke shënuar një rekord historik për Partinë Socialiste në qarkun e madh të jugut, e kanë shndërruar atë në një nga bastionet më të forta e më të sigurta të së majtës.
Ndërkohë, ndryshimet kanë prekur edhe Qarkun e Kukësit, ku Eduard Shalësi është larguar si drejtues politik, duke u deleguar edhe ai në një njësi në Tiranë, pasi nuk ka mundur dot që në zgjedhjet e fundit ta shndërrojë veriun në bastion të së majtës.
"Kukësi dhe Shkodra mbeten territore ku beteja vazhdon", u shpreh Sekretari Blendi Klosi në nisje të Asamblesë, në analizën e rezultateve, duke paralajmëruar lëvizjen e Eduard Shalësit.
Ai e ka cilësuar Tiranën si "rezervuarin më të madh të votave për PS", ndaj dhe në kryeqytet pritet një ndryshim i fortë i drejtuesve politikë, duke marrë parasysh edhe situatën e vështirë e të paprecedentë me Bashkinë e Tiranës.
© Newsbomb.al

