Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Flamur Noka, ka krijuar tensione në Parkun Olimpik ndërsa ka porosituar numëruesit e votave që mos të numërojnë asnjë votë të mbërritur nga Greqia duke thënë që të kontestohen për tu numëruar dhe vlerësuar më pas nga KQZ. Noka akuzon Ballën se ka manipuluar votat e ardhura nga Greqia.
"Thasët e Taulantit ndahen veç me votat e Diasporës. Porosia jonë është e plotë. Konform ligjit të numërohet çdo votë. Informacionet tona janë të bollshme për thasët e Taulantit, por vota e Diasporës do numërohet një për një. Vota e Diasporës do numërohet një për një, por thasët e Taulantit do veçohen. Kam ardhur të monitoroj numërimin e çdo vote. E pe që zbriste dhe kërcënonte numëruesit Taulant Balla? Nuk e patë ju. Unë bisedoj me anëtarët dhe numëruesit e mi. Ju them numëroni çdo votë."-tha Noka.
Ndërsa Taulant Balla u shpreh se akuzat e Flamur Nokës janë shpifje ndërsa u shpreh se duhet treguar respekt për votuesit nga Diaspora.
"Nëse ai ka fakte që unë kam mbushur thasë me votat e Diasporës, duhet të shkojë në institucionin përkatës, të Prokuroria e Posaçme. Ka një ankesë tjetër për KQZ, t'i drejtohet KQZ-së. Flamuri i PD ka humbur bishtin dhe po kërkohet alibia për humbjen. PD të heqë dorë nga procesi i numërimit të votave. Diaspora ka votuar për herë të parë dhe duhet të tregojmë respekt për votën e tyre. Nëse kanë fakte të shkojnë në institucionet përkatëse."-tha Balla.
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Flamur Noka, është përplasur edhe me Ledian Ahmatin, kandidatin e Nismës Shqipëria Bëhet, pasi ky i fundit i tha që po zvarrit procesin.
Pjesë nga debati:
Noka-komisionerëve: Çdo votë e Greqisë t'i kalojë për numërim KQZ-së. Gjithë votat e tjera të kalojnë.
Kandidati i Nismës Shqipëria Bëhet: Flamur a nuk është kjo shtyrje e procesit?
Noka: Kush je ti mo?
Kandidati i NSHB: Ledian Ahmati jam, përfaqësues i Shqipëria Bëhet.
Noka: Ik mor ti, pyes unë sa ushtarë jeni ju.
