Kryetari i Grupit të Partisë Socialiste, Niko Peleshi, së bashku me kolegët socialistë kanë marrë pjesë në homazhet për nder të ish-deputetit demokrat, Gerti Bogdanit.
Jashtë ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë, Peleshi, si shumë e shumë kolegë e miq të tjetër të ish-deputetit, u shpreh se Gerti ishte një djalë i shkëlqyer dhe një politikan model i cili do t'i mungojë politikës shqiptare.
“Ikja në një moshë kaq të re, është gjithmonë e dhimbshme për këdo, edhe për njerëz që i njeh apo nuk i njeh, për më tepër që këtu bëhet fjalë për një djalë të mirë, të shkëlqyer, të Tiranës dhe Shqipërisë, një politikan model, por mbi të gjitha një bashkëshort i mirë dhe një qytetar shembullor.
Kështu që dhimbja shumëfishohet, kështu që dua ti bashkohem të gjithë ngushëllimeve e dhimbjes që gjithkush e ndjen sot, edhe dhimbjen e kolegëve tanë të grupit të deputetëve të PS që janë sot këtu për të përcjellë mikun e tyre, kolegun e tyre, një njeri me kaq shumë vlera, që do ti mungojë padyshim, miqve, familjes por edhe politikës shqiptare sepse përfaqësonte një standard për të mos u humbur, por për t’u ndjekur. Kjo është jeta dhe mbase këto momente duhet të na bëjnë më të mirë”, tha Peleshi.
