Ka përfunduar numërimi i votave në qarkun e Korçës ku njëjtë si dhe në zgjedhjet e kaluara, Partia Socialiste ka shënuar një fitore të thellë ndaj Partisë Demokratike.
Nga të dhënat e përditësuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në këtë qark janë numëruar 422 qendra votimi në 422 në total.
Nga këto kuti Partia Socialiste ka marrë 57213 vota, e përkthyer në përqindje 54.33%, ndërsa Partia Demokratike ka grumbulluar 20808 vota më pak.
Sali Berisha në qarkun e Korçës ku përfshihen 6 bashki, ka grumbulluar 36405 vota, e përkthyer në mandate 4 ulëse në Kuvend. Ndërsa socialistët kanë mbajtur të pandryshuar numrin e deputetëve, njëjtë sikurse dhe në vitin 2021, pra 6 ulëse në Parlament për këtë qark.
Kujtojmë se Partia Socialiste në zgjedhjet e 11 Majit arriti që të “thyejë” edhe një nga bastionet e së djathtëve. Devolli në këto zgjedhje parlamentare, ndryshe nga vitet e tjera, ka votuar masivisht për socialistët.
Drejtuesi politik i Partisë Socialiste në qarkun e Korçës, Niko Peleshi, nga qyteti Bilishtit një ditë më parë falënderoi të gjithë qytetarët të cilët i besuan dhe u premtoi atyre se rrethi i tyre do të jetë në vëmendjen e qeverisë.

