Pas disa orësh pritje, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet për Bashkinë e Vorës, ku ditën e djeshme, 11 Maj, u votua elektronikisht.
Edhe pse rezultati pritej që të publikohej menjëherë pas përfundimit të procesit të votimit, KQZ vendosi mospublikimin e rezultatit, pas një kërkesë të bërë nga Partia Demokratike. Ndërkohë që ashtu sikurse dhe u parashikua një ditë më parë, Vora vijon të mbetet e majtë.
Nga shifrat zyrtare të publikuara nga KQZ rezulton se Partia Socialiste ka arritur të fitojë me 8010 vota, ku ka qenë Blendi Gonxhe ai i cili nga kjo forcë politike ka marrë personalisht rreth 4794 vota. Ndërkohë që Partia Demokratike ka arritur të marrë 4803 votave.
Në vend të tretë renditet PSD me 330 vota, ndërsa në vend të katërt Partia Mundësia me 313 vota.
E pranishme në KZAZ në Vorë, paraditen e kësaj të hëne ka qenë edhe kryetarja e Kuvendit dhe njëkohësisht dhe drejtuesja politike e Partisë Socialiste në qarkun e Tiranës, Elisa Spiropali.
Në një deklaratë për mediat Spiropali u shpreh se në këtë Bashki socialistët kanë fituar thellë, ndërkohë që theksoi se rezultati duhet të ishte publikuar që mbrëmjen e djeshme, ashtu sikurse ishte parashikuar.
Më tej ajo u shpreh besimplotë se në qarkun e Tiranës, Partia Socialiste do të sigurojë plot 20 mandate, duke shtuar se tanimë Shqipëria europiane është nuk është më një ëndërr por një realitet i prekshëm.
“Shqipëria europiane nuk është më një ëndërr por realitet i prekshëm. Këtu në Vorë rezultati duhet të kishte dalë që mbrëmë, ky është qëndrimi jonë dhe i yni. Ne besuam votimin elektronik për Vorën dhe njësinë 10, për ta dhënë rezultatin në kohë reale.
Duhet të kishte dalë që mbrëmë dhe ky është qëndrimi ynë dhe juaji që keni pritur në këtë rezultat. Bashkia a Vorës do të kishte qenë bashkia e parë që do të shprehte fitoren e thellë. Partia Socialiste ka fituar në Vorë me një diferencë të thellë në Vorë për shkak të punëve të mira që ne kemi bërë këtu.
PS është shumë pranë qytetarëve çdo ditë të viti dhe jo vetëm në muajin e zgjedhjes. Rezulton që Vora i ka dhënë fitoren Edi Ramës dhe e gjithë Shqipëria”, tha Spiropali
Kujtojmë se në orën 19:00 të së dielës, 11 maj, përfundoi zyrtarisht procesi i votimit për zgjedhjet parlamentare në Shqipëri. Votimi nisi që në orët e para të mëngjesit, në orën 07:00, dhe u zhvillua relativisht i qetë në të gjitha qendrat e votimit në vend.
Vlen të theksohet se nga statistikat e publikuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pjesëmarrja në këto zgjedhje ka qenë 42.16%, më e ulët se në zgjedhjet e 2021.
