Drejtuesi politik i PD-së për Tiranën, Belind Këlliçi ka reaguar ashpër ndaj operacionit të SPAK, ku u lëshuan 22 urdherarreste.
Në një postim në rrjetet sociale, Këlliçi e akuzon gjyqtaren Irena Gjoka, duke e quajtur "kamikaze me tre mbiemra," për dhënien e dy javë kohë personave që dyshohet se janë përfshirë në aferë për t’u arratisur dhe për të zhdukur provat.
Këlliçi thekson se deri tani nuk është ndaluar askush dhe se të dyshuarit janë duke kaluar pushimet, ndërkohë që vijojnë me aktivitetet e pastrimit të parave brenda dhe jashtë vendit.
"Kamikazja me 3 mbiemra, pasi i dha dy javë kohë të arratisen e të zhdukin provat Grupit të Strukturuar Kriminal të inceneratorit, sot ka firmosur diskretitimin final të SPAK-ut! Deri më tani, nga Megaoperacioni i SPAK, asnjë i ndaluar! Të gjithë me pushime, të gjithë duke vijuar pastrimin e parave brenda e jashtë vendit, ndërkohë pronari faktik i inceneratorit vijon promovimin e pyllit orbital! Bravo kolegët, po thyejnë rekord botëror," shkruan Këlliçi.
Burime për Newsbomb bëjnë me dije se oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit, të cilët “zbritën” në terren për ekzekutimin e masave të sigurisë, nuk kanë gjetur në banesat e tyre asnjë nga të dyshuarit. Kësisoj asnjë nga 22 masat e sigurisë ende nuk janë ekzekutuar.
Kësisoj ka dyshime të forta se të dyshuarit janë informuar paraprakisht për këtë lëvizje të SPAK, dhe për t'i shpëtuar burgut janë arratisur. Vlen të theksohet se Prokuroria e Posaçme po qëndron në heshtje, por pritet që nga momenti në moment të dalë me një njoftim zyrtar.
Vetëm njëri prej tyre rezulton të jetë brenda territorit të Shqipërisë, sipas sistemit TIMS, ndërsa të tjerët kanë dalë jashtë vendit.
Në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtune, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar urdhëroi zhvillimin e një operacioni të madh në kuadër të inceneratorit të Tiranës. Deri më tani janë lëshuar urdhër arreste për gazetarin Endrit Habilaj, Denisa Tollkuci dhe Dashamir Ymeraj duke vendosur masë sigurie, "arrest me burg".
Të njëjtat burime tregojnë se në këto 22 masat e sigurisë, përkatësisht ndalime dhe vënie sekuestroje, bëjnë pjesë shtetas të huaj, biznesmenë, gazetarë, politikanë dhe njerëz të tjerë të rëndësishëm.
Kujtojmë se hetimi mbi këtë çështje vijon prej vitesh. Në fillim të gushtit të vitit të kaluar, u sekuestrua kompania e inceneratorit dhe u ngrinë pasuritë e saj. Ndërsa të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri, bashkë me ish zv. kryeministrin Arben Ahmetaj.
Po ashtu është dhënë masa “Arrest me burg” për shtetasit Mariglen Qato, R.M., dhe Taulant Tusha, si dhe masa e sigurisë "Detyrim paraqitje" për shtetasit Enton Punavija, Julian Zanaj, Albano Janku, Nestor Muhamellari, Eglantina Zere dhe Deborah Keçi.
Prokuroria e Posaçme ka arritur të hetojë dhe të faktojë se për Inceneratorin e Tiranës janë përdorur emra fiktivë, kryesisht pleq, të cilët edhe kanë firmosur pa vetëdije për fatura që kapnin vlera të frikshme.
