Përfaqësuesja e Qeverisë në seancën e sotme në Gjykatën Kushtetuese, avokatja Irma Qosja, paraqiti argumentet ligjore në kundërshtim me kërkesën e Erion Veliajn, për rrëzimin e vendimit të Këshillit të Ministrave lidhur me shkarkimin e tij nga detyra si kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Qosja argumentoi se Gjykata Kushtetuese nuk ka kompetencë për të shqyrtuar këtë çështje, pasi ajo nuk lidhet me shkelje të rendit kushtetues, por me një procedurë ligjore të bazuar në dispozitat që rregullojnë vetëqeverisjen vendore.
Sipas saj, Veliaj nuk është shkarkuar për shkelje të Kushtetutës apo të ligjeve, siç parashikon neni 115 i Kushtetutës, por për mungesë në detyrë, në përputhje me nenin 62 të ligjit për vetëqeverisjen vendore.
“Ankimuesi pretendon se shkarkimi i tij nga detyra ka ndodhur për shkak të shkeljes së rendit të Kushtetutës ose të ligjeve, siç parashikon neni 115 i Kushtetutës, e cila është e vetmja mënyrë që ai të legjitimohet përpara kësaj gjykate. Ndërkohë që shkarkimi i tij nuk është kryer për shkak të kësaj dispozite.
Ai nuk është shkarkuar për rrethanë kushtetuese, por ligjore, për shkak se nuk është paraqitur në detyrën e parashikuar nga neni 62 për vetëqeverisjen vendore”, tha ajo teksa më tej theksoi se të gjitha provat dhe aktet që lidhen me vendimin janë paraqitur në mënyrë të plotë, duke nënvizuar se procedura e ndjekur nga Këshilli i Ministrave ka qenë në përputhje me ligjin.
Në përfundim, ajo kërkoi që kërkesa e Veliajt të rrëzohet si e pabazuar dhe jashtë kompetencës së Gjykatës Kushtetuese.

