Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Luçiano Boçi, ka marrë pjesë në homazhet në nder të kolegut të tij, Gerti Bogdanit. Jashtë ambienteve të Kuvendit, ku dhe u zhvilluan homazhet, Boçi ka folur për mediat duke risjellë edhe njëherë të gjitha virtytet që Gerti kishte si politikan, mik dhe familjar.
“Dhimbja është shumë e madhe”, u shpreh ai duke theksuar më tej se Gerti Bogdani është dëshmi se si duhet të jetë një politikan.
“I japim lamtumirën e fundit, mikut tonë, bashkëpunëtorët tonë, politikanit shembullit, shokut tonë personal Bogut, siç e thërrisnim në koefidencë. Gerti ishte dëshmi se si duhet të jetë një politikan, shembull se si duhet të jetë një familjar, shembulli se si duhet një njeri të ndërtojë karrierën e tij, angazhimin publik, komunikimin politik. Dhimbja jonë është shumë e madhe, trishtimi dhe hidhërimi i familjes sonë politike, është po kaq i madh sa i dhe i familjes së tij.
Gerti vërtet sot udhëton drejt parajsës, por me atë dhimbjen e madhe që ai dinte dhe kishte ndërtuar parajsën e tij të vogël në familjen e tij dhe shoqërinë e tij, pse jo dhe në atë pjesën e imponimit që sillte në Kuvend, një zë i fortë, me zërin e tij si njeri shembull i të rinjve që duhet të ndërtojnë një karrierë të tillë të ndershme e të përkushtuar siç e kishte ai. Nuk e besoj ende, por ai do të mbetet të kujtimet tona”, tha ai.
