Ish-kryetarja e Kuvendit dhe një ndër aleatet më besnike të ish-kryeministrit Sali Berisha, Jozefina Topalli, i është bashkuar protestës së kësaj të enjte.
Në një intervistë të shkurtër për Euronews Albania, Topalli tha se problemi më i madh i demokratëve është fakti se kryetari i kësaj force politike është i arrestuar. Ndër të tjera, ajo u shpreh se janë me qindra arsye për të cilat qytetarët duhet të dalin në shesh dhe të ngrenë zërin.
“Ne kemi një problem të madh se kemi kryetarin të arrestuar. Problemi më i madh i kombit tonë sot është boshatisja, të rinjtë janë larguar, në asnjë vend tjetër shpejtësia e plakjes së popullsisë nuk është në nivelet e vendit tonë. Unë besoj se problemet e përçarjes nuk ekzistojnë më, kemi pasur një kalvar të gjatë, por shqiptarët kërkojnë një opozitë të fortë që të luftojë këtë qeveri të korruptuar. Kryetari duhet të lirohet, është çështje e pluralizmit”, tha Topalli.

