
Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi e ka cilësuar si një akt terrorist arrestimin e ish-Presidentit të Shqipërisë duke thënë se Meta u “rrëmbye” nga terroristët nën uniformë. Blushi aktin e sotëm e cilësoi si “shpallje lufte ndaj opozitës” dhe tejkalim të çdo vije të kuqe.
Ndërsa dha këto deklarata për mediat, ai u pyet nga gazetarët se tani që Meta shkoi në burg, kush do jetë kryetari i Partisë së Lirisë, dhe a do jetë Blushi ai që do e marrë drejtimin.
Por Blushi e mohoi duke theksuar se Presidenti i PL është dhe do të mbetet Ilir Rexhep Meta.
Sekretari i Përgjithshëm i PL-së ndër të tjera u bëri thirrje drejtuesve të burgjeve të tregojnë shumë kujdes.
“Mund të ketë patur tentativë dhe për ta eliminuar fizikisht. U bëj thirrje drejtuesve të burgjeve të bëjnë shumë kujdes”, tha Blushi.