
Avokati Genc Gjokutaj ka folur për mediat pas takimit me ish-presidentin Ilir Meta, i cili është arrestuar mesditën e kësaj të hëne në hyrje të Tiranës. Pas procedurave në Drejtorinë e Policisë Tiranës, Meta është nisur drejt Bllokut të Sigurisë te "Mine Peza".
Gjokutaj e konsideron arrestimin e Ilir Metës si banditesk dhe thotë se ai ka qenë disa herë në SPAK, ndaj nuk kishte asnjë arsye se përse ai duhej të ndalohej nga policët në mes të autostradës.
"Unë kam qenë me zotin Meta. Ai ka mbërritur këtu pas një rrëmbimi banditesk që është bërë në rrugë, me një sjellje jo njerëzore. E gjithë kjo ndodh me një person që ka qenë në SPAK dhe ka treguar për çfarë është pyetur. Kjo çështje ka 5 vjet dhe këto rrethana dihen.
Dysja Rama-Dumani dhe mashat e tyre kanë bërë një vendim që ne e kemi marrë. Qëndrimi i Ilir Metës është krejt i qartë, ai do të përballet dhe të bëjë mbrojtjen. Janë tre akuza, korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim i pasurisë", u shpreh avokati Genc Gjokutaj.
Ish presidenti Meta ka deklaruar se ai nuk është marrë asnjëherë me çështje pronash apo financash, çështje me të cilat është marrë, sipas tij, bashkëshortja Monika Kryemadhi, ndaj të cilës ka po ashtu një hetim pasuror nga SPAK-u.
Në mes të qershorit zoti Meta qëndroi për më shumë se tre orë përballë hetuesve në Prokurorinë e Posaçme. Nga deklaratat e tij u mësua se ishte pyetur rreth çështjeve që lidhen me pasurinë e familjes.