Kandidatja e Partisë Demokratike, Elda Hoti, ka reaguar në lidhje me bashkëshortin e saj, Ladi Ndoja, i cili u arrestua nga policia ditën e djeshme teksa i kanë bllokuar rrugën një tjetër automjeti duke pretenduar se po kryhej krim zgjedhor.
Me një postim në rrjete sociale, Hoti shkruan se për ngjarjen e ndodhur do të mbajnë përgjegjësi, sipas saj çdo vegël politike për çdo tentativë për të frikësuar qytetarët.
Gjithashtu, kandidatja e PD ka shprehur se të gjithë ata që shantazhuan votuesit janë të lirë dhe janë duke qëndruar nëpër qendrat e votimit.
Reagimi i plotë:
Asnjë polici politike, asnjë strukturë kriminale dhe asnjë zëdhënës i krimit të organizuar nuk do të mund ta ndalë vullnetin e qytetarëve për ndryshim. Ditët e frikësimit, fabrikimeve dhe shtypjes së zërit opozitar janë drejt fundit.
Ulsi Manja dhe çdo vegël politike që përdor Policinë e Shtetit për interesa të pushtetit do të mbajnë përgjegjësi për çdo veprim të paligjshëm, për çdo tentativë për të frikësuar qytetarët që duan një të ardhme më të mirë.
Këto manovra janë të dështuara sepse fuqia e popullit nuk ndalet nga asnjë makineri represive.
Ata që blenë vota dhe shantazhuan votuesit, janë të lirë dhe po rendin nga qendra në qendër votimi, Aleksander Dodaj, Renuar Kolaj dhe të gjithë kriminelët elektoral, i keni bërë llogaritë gabim.
Njëshat nuk ka regjim që i ndal!


