Himarjotët do u drejtohen sot kutive të votimit, ku do të votojnë për të zgjedhur kryebashkiakun që do të drejtojë Bashkinë.
Janë 22.429 qytetarë që do të votojnë për kreun e ri të Bashkisë. Qendrat e votimit janë hapur vetëm pak minuta në parë, teksa janë 36 qendra votimi në tre njësitë administrative të bashkisë Himarë.
Siç ka njoftuar edhe më herët KQZ, për identifikimin e zgjedhësve do të implementohet Sistemi Elektronik i Identifikimit të Votuesve (SEIV) dhe do të përdoren Pajisje Elektronike të Identifikimit (PEI).
Janë dy kandidatë që do të kandidojnë për këtë post. Vangjel Tavo kandidat i Partisë Socialiste dhe Petro Gjikuria, nga Partia Demokratike.
Në këtë proces zgjedhor janë të angazhuar 52 punonjës policie që do të sigurojnë materialet zgjedhore në 36 qendrat e votimit. Sipas njoftimit të autoriteteve i gjithë personeli policor i angazhuar me detyra gjatë procesit zgjedhor është i trajnuar për detyrat që ka dhe që kryen Policia e Shtetit gjatë procesit zgjedhor.
