Ish-kryetarja e parlamentit Jozefina Topalli ka përcjellë ngushëllimet për ndarjen nga jeta të ish-deputetit të PD, Gerti Bogdani.
Mes lotësh ajo u mundua të jepte një prononcim të shkurtër për media, por për shkak të gjendjes së rënduar emocionale nuk mundi ta përfundonte atë.
Topalli u shpreh se Gert Bogdani ishte ndryshe nga politikanët e tjerë. Më pas ajo shpërtheu në lot për ish-kolegun e saj dhe u largua nga ambientet e parlamentit ku po mbahen homazhet në nder të ish-deputetit.
“Gerti ishte ndryshe nga të gjithë të tjerët! Gerti ishte ndryshe”, - tha mes lotësh Jozefina Topalli për Euronews Albania.
Bogdani humbi jetën pas një arresti kardiak teksa po zhvillonte një takim me miqtë në një prej hoteleve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ikja e papritur e Gertit, e politikanit dhe djalit të mirë “tirons”, ka tronditur jo vetëm familjarët, por të gjithë kolegët e miqtë që patën fatin të punojnë me të.
