Drejtuesja politike për Diasporën në Partinë Demokratike, Jozefina Topalli i është drejtuar me një thirrje urgjente SPAK, KQZ dhe OSBE/ODIHR për ndërhyrje në shpërndarjen e zarfeve të votimit për shqiptarët e Greqisë.
Gjatë një konference për shtyp nga selia blu, Topalli është shprehur se persona të paautorizuar dhe të paidentifikuar kanë arritur të marrin në dorëzim fletë votimi në pikat e shpërndarjes në Greqi.
Demokratja i kërkon OSBE/ODIHR të marrin masa për monitorim ndërkombëtar në Greqi me qëllim garantimin e integritetit të votës në zgjedhjet parlamentare 2025.
“Kërkojmë një hetim penal nga SPAK për të zbuluar se kush po i merr fletët e votimit pa identifikim dhe pa firmë. KQZ duhet të auditojë çdo kuti votimi, mënyrën e transportit dhe personat që kanë ndërhyrë në këtë proces”, u shpreh Topalli.
