Në një kohë kur rezultatet paraprake janë bërë me dije në të gjitha qarqet e vendit, i vetmi qark që ende nuk ka nxjerrë fituesit është Tirana.
Ndonëse kanë kaluar plot 24 orë nga përfundimi i procesit të votimit, mesa duket numërimi i votave në këtë qark ende nuk ka përfunduar.
Mes zërave se kandidati që ka marrë më tepër vota është Hysen Kadiu, ka pasur dhe nga ata që nuk kanë qëndruar pa shprehur zhgënjimin për këtë proces.
Ka qenë pikërisht avokatja Adriana Kalaja e cila shkroi se fitorja sot u takon tradhtarëve.
“Sot, shprehja se fitorja u takon guximtarëve dhe luftëtarëve, ndryshon në: Fitorja u "takon" tradhtarëve”, shkruante Kalaja në postimin e saj, i cili menjëherë u fshi më pas.
Sakaq, më herët lidhur me këtë proces një reagim erdhi edhe nga Hysen Kadiu i cili falënderoi të gjithë anëtarët e Partisë Demokratike të cilët i besuan dhe e votuan në këtë proces kaq të rëndësishëm për forcën politike ku dhe ata bëjnë pjesë.
"Të nderuar demokratë të Qarkut të Tiranës, Ju falënderoj për mbështetjen dhe besimin që treguat në këto primare. Vota juaj më nxori të parin me rezultatin më të lartë, në këtë qark dhe për këtë jam thellësisht mirënjohës.
Një falënderim i veçantë shkon për Kavajën, që dha një mesazh të qartë me pjesëmarrjen e saj të lartë në këto primare dhe mbështetjen e fortë e të palëkundur për PD dhe kryetarin Sali Berisha. Angazhimi juaj është forca ime për të vazhduar këtë rrugëtim me vendosmëri dhe përkushtim. Ky është vetëm fillimi i një sfide të madhe. Së bashku do të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për Partinë Demokratike dhe Shqipërinë! Faleminderit nga zemra", shkruan Kadiu.
Ndërkohë, burime për mediat bëjnë me dije se vendin e dytë e zë Klevis Balliu, ndërkohë në vend të tretë është deputetja Jorida Tabaku e ndjekur më pas nga Ilir Alimehmeti.
Theksojmë se deri më tani nuk ka një rezultat të saktë se sa vota ka marrë secili nga kandidatët të cilët garuan në procesin e Primareve, që u mbajt ditën e djeshme, 1 mars.
Më herët Komisioni i Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale në PD njoftoi se procesi i zgjedhjeve për Primaret 2025 për Kuvendin e 11 Majit u organizua me sukses më 1 mars, duke theksuar se votimi u zhvillua në të gjitha degët e PD, duke filluar në orën 8:00 dhe duke përfunduar në orën 18:00 në shumicën e Qendrave të Votimit.
Pjesëmarrja në këto zgjedhje ka shënuar një rekord të lartë, duke arritur në 50,854 votues, sipas të dhënave paraprake të marra në formë elektronike.
Dy Qendra Votimi në Tiranë dhe një në Vlorë kanë hasur probleme që kërkojnë vendimmarrjen e KOKOE, teksa theksuan më tej se çdo rezultat konsiderohet paraprak, dhe atje ku mungojnë rezultatet e Qendrave të Votimit, ato do të konsiderohen jopërfundimtare deri në shpalljen e vendimit përfundimtar nga KOKOE.
