Erion Veliaj i cili dikur drejtonte Lëvizjen Mjaft dhe protestonte kundër Fatos Nanos dhe të gjithë socialistëve, ka reaguar në rrjete sociale pas ndarjes nga jeta të ish-kryeministrit.
Përmes një statusi në rrjete sociale, Erion Veliaj shprehet se është trishtuar pas lajmit se Fatos Nano u nda nga jeta. Erion Veliaj shkruan se Nano është kryetari që formësoi Partinë Socialiste dhe politikën moderne shqiptare.
Erion Veliaj shprehet se Nanon e kujton me respekt si një udhëheqës tolerat e liberal, i cili diti t'i tregojë këto cilësi edhe me të, vite më parë në ditët e rebelimit aktivist.
Reagimi i plotë i Erion Veliajt
Me trishtim mora lajmin e ndarjes nga jeta të Fatos Nanos, kryetari që formësoi Partinë Socialiste dhe politikën moderne shqiptare.
Me vizionin e tij qytetar dhe thellësisht europian, ai besoi se e majta duhet të ishte hapje, debat dhe progres, jo thjesht dogmë.
Sot kujtojmë me respekt një udhëheqës tolerant e liberal, i cili diti t’i tregojë këto cilësi edhe me mua, vite më parë, në ditët e rebelimit aktivist.
Demokracia nuk matet me sa shumë flasim, por si debatojmë me qytetari dhe sa shumë dimë të dëgjojmë njëri-tjetrin. Sepse liria nuk është vetëm e drejta për të folur, por edhe përgjegjësia për të kuptuar.
Kjo ishte fryma që Fatos Nano i dha të majtës shqiptare dhe për çka duhet t’i jemi mirënjohës.
U prehtë në paqe.

