Në një kohë kur Shqipëria është duke “vluar” nga zgjedhjet e 11 Majit, ku Partia Demokratike shënoi një tjetër humbje historike, “strategu” i Sali Berishës, ai që ishte parashikuar se do të ishte “arkitekti” i fitores të së djathtëve në vendin tonë, mesa duket i është rikthyer politikës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Pasi “mbushi xhepat” mirë, Chris LaCivita u mjaftua vetëm me një postim në rrjetet sociale, pak pasi kishte filluar numërimi i votave në Shqipëri dhe socialistët ishin duke prirë fuqishëm.
Në llogarinë e tij në platformën “X”, LaCivita publikoi një video të kapur nga demokratët ku zbuluan atë që u cilësua si “zyra e patronazhistëve” në Tiranë, krah së cilës shkruajti: “Ja si duket vjedhja e votave në Shqipëri… me mirësjellje të qeverisë së drogës të Edi Ramës”.
Ndërkohë që së fundmi ka ardhur me një tjetër reagim, por kësaj here për politikën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Ai ka publikuar kopertinën e një prej librave më të rinj që pritet të publikohet në Amerikë lidhur me Joe Biden dhe mundësinë që përflitej për një karrige me rrota nëse ai do të rizgjidhej në krye të SHBA-së.
“Asgjë për të parë këtu….Ndihmësit e Biden diskutuan për nevojën e një karrigeje me rrota nëse rizgjidhet: libër i ri”, shkruan LaCivita.
Ndërkohë sa i përket këtij libri mediat e huaja shkruajnë se përkeqësimi fizik i ish-presidentit Joe Biden ishte aq i rëndë në gjysmën e dytë të presidencës së tij sa ndihmësit e tij diskutuan privatisht vendosjen e tij në një karrige me rrota për mandatin e tij të dytë, sipas një libri të ri nga Jake Tapper i CNN dhe Alex Thompson i Axios.
Axios raportoi të martën mbi detajet e reja nga libri, i cili do të publikohet më 20 maj. Libri bazohet në më shumë se 200 intervista, kryesisht me njerëz të brendshëm demokratë, pothuajse të gjitha të cilat ndodhën pas përfundimit të zgjedhjeve të vitit 2024.
Sipas raportit, ndihmësit e Bidenit besonin se ishte politikisht e papërshtatshme që presidenti të përdorte një karrige me rrota gjatë fushatës së tij për rizgjedhje, por ata besonin se ai mund të detyrohej ta bënte këtë nëse fitonte një mandat të dytë.
