Hapësire reklamuese

Politikë

Demokratët folën me votë! Përfundon procesi i votimi për Primaret

Shkruar nga Newsbomb
Demokratët folën me votë! Përfundon procesi i votimi
Selia blu

Është mbyllur procesi i Primareve në 12 qarqe të vendit. Që prej orës 08:00 anëtarët e Partisë Demokratike, në të gjithë Shqipërinë, votuan për kandidatët që pritet të jenë në listën e 11 majit për deputet në secilin qark.

Ashtu sikurse u bë dhe me dije më herët ky proces është mbyllur në orën 18:00 në disa nga qarqet e vendit, ndërkohë në disa të tjera ka vijuar edhe për pak minuta të tjera. Deri në orën 16:00 u raportua se kutive të votimit iu drejtuan mbi 41 mijë demokratë.

Deri më tani, sipas asaj që gazetari Osman Stafa raportoi dihet se në Lushnjë ka pasur 1450 votues, në Divjakë kanë votuar 800 anëtarë të PD. Në Pogradec kanë votuar 687 anëtarë, teksa në listë kanë qenë 1200 persona. Në Devoll u mbyll votimi, ku votuan 1371 anëtarë të Partisë Demokratike.

U mbyll votimi edhe në Kolonjë, ku votuan 557 anëtarë të PD-së. Në Berat po ashtu u mbyll procesi, ku kanë votuar 815 anëtarë të PD-së. Në Kukës ka pasur 935 votues, në Has kishte 1050 votues, ndërsa në Tropojë 830.

Shkodër votuan 1785 anëtarë të Partisë Demokratike, në Malësinë e Madhe 781 votues, në Vaun e Dejës 701 votues, në Pukë 586 dhe në Fushë Arrëz 588 votues.

Bashkinë e Belshit të qarkut Elbasan kanë marrë pjesë në primare 411 anëtarë. Ndërkohë, në Sarandë procesi i votimit u shty me 30 minuta dhe morën pjesë gjithsej 699 votues, nga 1300 në listë.  Në Finiq  pati 130 votues, në Delvinë 250 votues, ndërsa në Konispol 176 votues.

Sakaq, theksojmë se ky proces nuk shkoi dhe aq i qetë, pasi u regjistruan tensione në disa nga selitë e PD-së, kryesisht te ajo në Fier.

Si duket ky proces i primareve, shërbeu për të thelluar ndarjen tashmë të njohur midis drejtuesit politik në Fier dhe ish-drejtuesit të saj, Luan Baçit. Newsbomb.al raportoi më herët se procesi i zgjedhjeve në selinë e PD, që ndodhet në një godinë përballë teatrit Bylis, u shoqërua me përplasje të ashpra midis të dyve.

Sherri nisi më herët përpara selisë së PD në sytë e shumë anëtarëve dhe mbështetësve që ishin aty për të votuar dhe më pas Bardhi dhe Baçi u futën brenda selisë u mbyllën  në një mjedis që shërben për mbledhjet e partisë dhe vijuan përplasjen me tone të larta.

Mesditën e kësaj të shtune kutisë së votimit iu drejtua edhe lideri i të djathtëve, Sali Berisha. Në një deklaratë të shkurtër për mediat, ai u shpreh se falë forcës politike që ai drejton, ka shpresa për liri në këtë vend.

“Ditë e rëndësishme për pluralizmin politik në Shqipëri dhe për lirinë. PD prin në betejën e saj për liritë dhe të drejtat e anëtarëve të saj, qytetarëve të Shqipërisë. Ktheni pak kokën dhe shihni ç’ndodh në partinë tjetër se në çfarë kthetrash janë në këtë periudhë. Ky është një akt shprese për shqiptarët, që liria nuk do shuhet kurrë në këtë vend”, tha Berisha ndër të tjera, teksa mbajti “sekret” votën e tij.

Sakaq theksojmë se gjithsej në këtë proces të primareve garuan 468 kandidatë, disa të propozuar e disa të tjerë të vetë-propozuar dhe vetëm 289 prej tyre, dorëzuan dokumentacionin përkatës. Afati i fundit për pjesëmarrjen në këtë garë ishte dita e djeshme, afat ky i zgjatur nga kryedemokrati Sali Berisha.

 

Sondazh

Poll

Lexo gjithashtu

Hapësire reklamuese