Deputeti socialist, Erion Braçe, i cili herë pas here është lakuar si dhe një ndër kritikët e qeverisë Rama, ka komentuar arrestimin e ish-ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqajn.
Ndryshe nga kolegët e tjerë të cilët teksa futeshin në Kuvend “ kyçën gojën”, Braçe u ndal për gazetarët dhe u shpreh se çdo kush që abuzon me ligjin duhet të mbajë përgjegjësi penale.
I pyetur nga gazearet se a duhet të mbajë Partia Socialiste përgjegjësi morale pasi eksponentë të rëndësishëm të kësaj force politike po përballen me drejtësinë , deputeti socialist theksoi se PS po e bën këtë gjë dhe se është angazhuar në një proces reformimi.
“Patjetër që PS duhet të mbajë përgjegjësi morale, po e mban një përgjegjësi dhe natyrisht që jam i bindur që para një gare elektorale secili do mbajë kosto. Doja të thoja keni në vëmendje që për shkak të ktyre ngjarjeve PS është angazhuar në një proces reformimi”, tha Braçe.
Pjesë nga fjala e Braçes:
Kam parë vetëm këto lajmet e para që kanë dalë. Duhet të kemi informacion më tepër. Video me pranga në duar nuk përbën argument për këtë gjë. Duhet të shoh një informacion më të zgjeruar për të kuptuar se çfarë ndodh. A mund ta mbaroj? Përtej kësaj, patjetër që reforma në drejtësi për kë u bë? Për të vënë para drejtësisë abuzuesit. Duhet të përballen me akuza të gjithë. Ende nuk ka përgjegjës për Gërdecin, ku janë vrarë njerëz dhe janë vjedhur lekë. PS duhet të mbajë një përgjegjësi morale, po e mban pa më të voglin diskutim. Gjithsecili do të marrë koston.
PS i është nënshtruar një vetëpastrimi. Peshorja ka humbur ekuilibrin përsa kohë që në këtë vend merren jetë njerëzisht dhe nuk merrem masa. Përkundrazi janë në sallën e Kuvendit. Drejtësia duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe të mbajë përgjegjës, duke nisur nga jeta e njerëzve. Jeta e njerëzve duhet të merret nga askush. Këtu është marrë jeta nga pushteti dhe nuk është marrë përgjegjësi nga askush.

